SPAK ‘trondit’ politikën , Arben Ristani plas deklaratën e fortë: Stina e frikës ka filluar

SPAK kohët e fundit po ‘trondit’ politikën me anë të ndëshkimeve dhe hetimeve të shumta ndaj zyrtarëve të lartë. Gjatë një intervistë televizive, Arben Ristani u shpreh se sa më shumë krimi pasurohet aq më shumë e vështirë dhe e fortë po bëhet lufta ndaj tij.

“Duke pasur referencë vendet e tjera, e dimë se si shkon historia e krimit. Por sa më shumë krimi pasurohet, aq më shumë e vështirë dhe e fortë bëhet lufta ndaj tij. Ka shumë para në qarkullim. Jemi me fat që kemi aleatë SHBA, në të kundërt nuk do t’ia dilnim,”– u shpreh Ristani.

I pyetur nga analistët Lorenc Vangjeli dhe Preç Zogaj për denoncimin e Petro Koçit që në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi paratë publike dhe trafikantë të drogës po fitojnë tendera, Ristani u shpreh se politikanët që marrin guximin për kallëzime të tilla duhen mbështetur.

“Politikanë që marrin guximin që të bëjnë kallëzime janë për t’u mbështetur. Organet e hetimit janë të detyruar të ndjekin të gjitha informacionet që vijnë edhe nga mediat. Janë të detyruar të nisin hetimet,”– tha ish deputeti i PD.

Më tej, lidhur me hetimet dhe arrestimet nga SPAK kohët e fundit, Ristani u shpreh se tashmë stina e frikës ka filluar.

“Unë besoj se ka filluar stina e frikës. Për ata që e mbajnë veten të pastër dhe jashtë korrupsionit, duhet të mbështesin organet e drejtësisë,”– u shpreh Arben Ristani.