Presidenti Thaçi lajmërohet nga Tirana, tregon diçka të rëndësishme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një postim të tij në Facebook ka treguar se sapo arritur në Tiranë. Ai thotë tutje se të dielën në mbrëmje do të drejtohet me një fjalë nga zyra e tij.

Postimi i plotë:

“Motra dhe vëllezër, Miq të dashur,

Sapo kam zbritur në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime.

Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara.

Gjithmonë i juaji, deri në fund, Hashimi”, ka shkruar presidenti i Kosovës.

Deri tani ky është edhe reagimi i tij i parë që kur të mërkurën zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, njoftoi se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

Publikimi i akuzave të pakonfirmuara, bëri që të dështojnë planet për një takim në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë presidenti Thaçi ndërpreu udhëtimin dhe të premten po kthehet në shtëpi. Më pas edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se nuk mund të marrë pjesë për shkak të situatës së re.

Ndërmjetësuesi i takimi tashmë të anuluar, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump, tha se po pret përcaktimin e kohës për një takim të radhës.

Publikimi i akuzave nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë dhe kritika të rrepta ndaj prokurorisë së posaçme.

Analistët thanë se situata e re ka vënë në pikëpyetje rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse Bashkimi Evropian po ngulë këmbë se ato duhet të rifillojnë muajin që vjen.