“Mund të mbushen spitalet”, paralajmëron Rudina Xhunga: Ne kaluam vetëm fazën e parë, por ja rreziku që na kanoset

Gazetarja Rudina Xhunga tha se të gjithë qytetarët duhen mësuar me realitetin e ri, pasi nuk do të ketë më kurrë rikthim në normalitetin e mëparshëm, edhe pas krijimit të vaksinës.

“Po, është një rikthim i ri, kanë çelur lulet, ka shumë diell, por duhet sërish kujdes maksimal. Nuk janë rregullat e qeverisë që mund të të mbrojnë, por edukata jote, higjiena personale. Virusi nuk ka ikur, por ekonomia ka rënë dhe kjo i detyron shtetet të hapen. E rëndësishme është të vazhdojmë të lajmë duart, pasi COVID nuk ka ikur, është duke na pritur.

Nuk kemi pse i fshihemi policisë, Ramës, por t’i fshihemi virusit. Mjekët po iu bëjnë të qartë që nuk ka mbaruar. Asgjë nuk ka mbaruar, virusi mund të na godasë në çdo moment, në verë, në vjeshtë, në dimër. Ne kaluam vetëm fazën e parë, por nuk dihet çfarë mund të ndodhë në fazën e dytë, mund të mbushen spitalet.

Tani duke parë që jemi sërish të lirë, fillon e mendon që Zoti e di, na mbrojti vaksina e tuberkulozit, e ku di unë. E vetmja mënyrë për të ndihmuar veten është të rikthehesh në një normalitet të ri, duke menduar se nuk ka kthim pas. Edhe kur vaksina të vijë, mund të vijë nga pandemi tjetër”, – tha Xhunga për Opinion.