Kryemadhi prezanton kandidatin e Fierit, hedh akuza ndaj Ramës: Vetëm hasmi e shkatërron shtëpinë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një takim në qytetin e Fierit ka prezantuar kandidatin e LSI për këtë qark, Klajdi Bogdanaj.

Ndërkaq ajo ka hedhur akuza dhe ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se ka shkatërruar vendin.

“Dhe nëse ne nuk do të mendojmë për vendin tonë, për të gjithë njerëzit me të cilët kemi ardhur deri këtu si një familje, normal që do të ndodhë ajo që ka ndodhur, ku taksat rriten, ku vendet e punës mbyllen, ku bizneset falimentojnë e çdo gjë tjetër. Vetëm hasmi e shkatërron shtëpinë. Vetë një njeri që urren çdo gjë e shkatërron shtëpinë. Dhe këtë ka bërë Edi Rama me Rilindjen. Prandaj dhe ne duam që të kthejmë çdo gjë në dorë të të rinjve dhe të rejave. Jo në dorë thjesht për të pasur një të ri, një 18 apo 20 vjeçar, por për t’iu dhënë shanset dhe mundësitë brezit të Klajdit, të Kejdit, të shumë të rinjve dhe të rejave të tjerë, që nuk janë thjesht të rinj, por janë njerëz me përgjegjësi, që kanë përgjegjësi politike, kanë angazhim politik, kanë dëshirë të jetojnë në Shqipëri. Dhe nëse ne nuk do të kemi një klasë politike që kërkon të jetojë dhe investojë në Shqipëri, që kërkon të rritet në Shqipëri, normal që ne do të kemi këtë shpopullim me këto ritme kaq të shpejta”, u shpreh Kryemadhi.