Kapen veshje firmato false për ‘VIP’-at e Tiranës, bllokohen 300 mijë euro rroba kontrabandë nga Turqia (FOTO)

Një sasi mallrash kontrabandë nga Turqia me vlerë 300 mijë euro janë bllokuar nga antikontrabanda e doganës së Tiranës. Burime për Report TV bëjnë të ditur se mallrat u bllokuan në kamionin e kompanisë ‘Emi Trans’ me pronar shqiptar.

Mallrat e bllokuara janë rroba firmato që kryesisht mbajnë etiketën e firmës ‘Gucci’, por që janë të faslisifkuara. Mësohet se ato janë porosituar nga disa tregtarë në Tiranë.

Kamioni me mallra nga Turqia ka kaluar nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, nga e cila kanë kaluar lirisht.

Pasi kamioni ka mbërritur në Tiranë, antikontrabanda brenda doganës së kryeqytetit ka zbuluar se pjesa më e madhe e mallrave ishin të padeklaruara. Firma i kishte deklaruar mallrat me vlerë 30 mijë euro, ndërkohë që paraprakisht vlera e tyre arrinte në 300 mijë euro.

Pas procedurave nga ana e autoriteteve doganore, mallrat janë sekuestruar, ndërsa është ndaluar edhe shoferi i kamionit.

Nga një kërkim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania ‘Emi Trans shpk’ është regjistruar në 4 prill të vitit 2006 me administrator Shkelqim Rryta.

Sipas ekstraktit, objekti i këtij aktiviteti është Import-eksport,tregtim të artikujve të ndryshëm, industrial, ushqimor, frutaperime, automjetesh, elektroshtepiake, elektrike, higjenosanitare, qeramike,artizanati,pajisje zyrash,prodhime druri,karburante te ndryshme me pakice,impiante gazi,pajisje ngrohese gazi,kozmetike,estetike.materiale ndertimi,hapje agjensi turistike,imobiliare. Transport mallrash e pasagjeresh,personale,punime duralumini.