Lushtaku: Duam Murat Jasharin për president, jo Vjosa Osmanin

Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti po vazhdon të ketë bindjen se Vjosa Osmani do të zgjedhet presidente e vendit, madje shtytës i kësaj çështje doli edhe ish-partia e znj.Osmani, LDK, e cila mori vendim që të ia bëjë kuorumin, por jo edhe Partia Demokratike e Kosovës

Kjo e fundit ka kundërshtuar fuqishëm zgjedhjen e saj si presidente, sipas kësaj partie Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese.

Një ndër njerëzit më të fuqishëm në Partinë Demokratike, Sami Lushtaku, në një prononcim tha se personi në fjalë është njëra prej figurave më përçarëse dhe jo unifikuese.

“Unë e respektoj vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës sepse jam pjesë e saj dhe unë besoj që znj.Osmani është njëra prej figurave më përçarëse dhe jo unifikuese.”

Sipas Lushtakut figura më e përshtatshme do të ishte Murat Jashari.

“Unë mendoj që personi më i përshtatshëm për momentin, në çfarë situate dhe në çfarë gjendje jemi ne në Kosovë, unë mendoj që Murat Jashari kish me qenë njeriu më i duhur i mundshëm.”, tha Sami Lushtaku.