Ish-presidenti i Turqisë me origjinë shqiptare

Më 1989, gazetari Nefail Maliqi (gazeta Koha), intervistoi Presidentin e Turqisë Kenan Evren. Në pyetjen se ai ishte presidenti i shtatë turk, Evren iu përgjigj: “Nuk jam president turk por president i Turqisë”.

Të gjitha përgjigjet në lidhje me origjinën e tij shqiptare i gjejmë në këto fjalë. Bashkëpunëtorët e Evrenit me ardhjen e gazetarit Maliqi për intervistë, i thanë se po vjen një gazetar “jabanxhi”. Kur presidenti e kuptoi se nga ishte, i tha: “Po ti nuk qenke jabanxhi, ti je vëllau im, mirë se erdhe vëlla”. Këshilltari i tij, edhe ai ishte me origjinë shqiptare.

Kenan Evren ishte presidenti i shtatë i Republikës së Turqisë (1980-1989). Në vitet e ‘80-ta vizitoi ish-Jugosllavinë. Evreni u prit mirë në Beograd dhe në fund të takimeve zyrtare u pyet nëse kishte ndonjë kërkesë të veçantë (pyetje kurtuazie që u drejtohet thuajse të gjithë zyrtarëve miq). Ai tha se do të ishte shumë i lumtur nëse i vendosej në dispozicion një helikopter dhe disa kurora me lule. Kur e pyetën përse dhe për ku, ai u tha se donte të vendoste kurora mbi varret e prindërve dhe gjyshërve të tij në Preshevë e Kumanovë! Nuk harroi të shtonte se në venët e tij rridhte gjakë shqiptar, gjë që i çuditi totalisht zyrtarët e ish-Jugosllavisë. Më pas doli se nuk i premtoi koha për të realizuar një vizitë të tillë dhe dëshira e tij mbeti për “njëherë tjetër”, e cila në fakt kurrë nuk u realizua.

Gjithmonë kishte përsëritur se nuk do të dëshironte kurrë që zoti t’ia merrte shpirtin pa vizituar vendin e të parëve të tij. Babai i tij Hajrullahu u lind në fshatin Bilaç të Preshevës dhe ishte njeri i shkolluar, gjyshërit e tij ishin Hasani dhe Haxherja. Gjyshi Hasani shërbente si myfti dhe atëbotë familjen e tij e njihnin si të shkolluar.

Evren është një personazh shumë i debatuar në Turqi, që endet midis dashurisë dhe urrejtjes, por në thelb të gjithë bashkohen se ai ishte një burrë shteti i madh. Më 1978 u gradua shef i përgjithshëm i ushtrisë turke. Ishte qemalist i madh, njëjtë si ushtarakët me gradat më të larta, të cilët në pjesën e tyre më të madhe ishin me origjinë shqiptare. Qemalistët nuk e kanë parê kurrë me sy të mirë Perandorinë Osmane.

Asokohe, gjenerali me origjinë shqiptare përmes grushtshtetit shpëtoi Turqinë nga lufta civile dhe pasi qeverisi disa vite, deri në stabilizim total, shpalli zgjedhjet e lira.