Deputeti serb nga partia e Vuçiqit: Rusia po e destabilizon tërë rajonin

“Rusia po e destabilizon tërë rajonin”, ka thënë deputeti i Kuvendit të Serbisë nga radhët e Partisë Progresive Serbe, Dragan Shormaz.

Këtë deklaratë ai e ka bërë derisa ka komentuar vizitën e ambasadorit rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, që i bëri ushtrisë serbe në Jarinje të dielën.

Shormaz, i cili është gjithashtu kryetar i delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO -s, i pyetur se si e komenton vizitën e ambasadorit rus në një situatë kaq të ndjeshme, tha se “ne mund të përpiqemi ta vendosim atë në kontekstin që Rusia është interesuar për paqen”.

Megjithatë, tha se nuk beson në këtë dhe mendon se Rusia po destabilizon të gjithë rajonin.

“Unë e kam akuzuar (Rusinë) se qëndron edhe prapa protestave në korrik të vitit të kaluar për shkak të masave anti-COVID. Rusia nuk mund të bëjë asgjë. Ai (ambasadori) mund të ecë sa të dojë. Nuk më pëlqen fakti që po dërgohet një fotografi për të mashtruar qytetarët e Serbisë, sepse Rusia nuk mund të bëjë asgjë”, ka thënë Shormaz.

Sipas tij, problemet e Serbisë me Kosovën nuk mund t’i zgjidhë Rusia, e as Kina, që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndryshe, tash e tetë ditë serbët që jetojnë në Kosovë kanë bllokuar rrugët afër pikave kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinje dhe Bërnjak. Ata po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me targat e veturave nga Serbia.