Besëthyerrje shqiptare në politikën maqedonase: Zaev nuk “mbytet”

Një zhvillim i paprecedent politik ka ndodhur në politikën maqedonase. Ndërsa opozita e atjeshme (VMROja) priste rrëzimin e qeverisë, pas një pakti dhe me forca shqiptare në koalicion me Zaevin, arritur pas një disfate të këtij të fundit në zgjedhje lokale, papritmas, një deputet i Besës, kastriot Rexhepi, ka ndryshuar qëndrim. Kjo ka bërë që Zaev, i cili u dorëhoq nga akti i dorëheqjes si kryemnistër, të vijojë qeverisjen.

Rexhepi prishi planet e partive opozitare, duke shkruar në Facebook se nuk do të votonte për rrëzimin e qeverisë: “Duke pasur parasysh çastin politik, për hir të procesit dhe sinjaleve të forta nga partnerët strategjik SHBA dhe Bashkimi Evropian që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marrë pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merret vendim me të cilin do të vihet në pikëpyetje, ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror”.

Por eprori i tij politik, kryetari i Besës Bilal Kasami, pretendon se, gjersa Rexhepi e ka bërë deklarimin virtualisht e jo me aspekt fizik, diçka e lig po ndodh sipas tij. Ai tha se nuk i beson videos së Kastriot Rexhepit, dhe se ajo video është bërë nën presion.

Sipas tij, situata është shumë serioze dhe se policia duhet të ndërhyjë sa më parë për ta gjetur atë. Kasami tha se ai duhet të dalë publikisht vet në opinion për të folur për situatën e tij shëndetësore dhe atëherë ata kanë për t’i besuar.

“Deri sa Kastriot Rexhepi nuk del para opinionit me figurë ta shohim se është shëndosh e mirë, çdo porosi përmes rrjeteve sociale nuk është valide. Çdo porosi ai mund ta bëj me dhunë, mund ta bëj i kërcënuar. Ai duhet të jetë pranë familjes, duhet të jetë i lirë”, tha ai.