Alarmi i mediave greke se Pashalimani do i jepej Turqisë, reagon Ministria e Mbrojtjes

Mediat greke kanë shkruar dje se kryeministri Edi Rama ishte i gatshëm t’i jepte Turqisë bazën e Pashalimanit, për ta shndërruar në një bazë ushtarake detare.

Mediat greke shprehin shqetësimin pasi me riaktivizimin e kësaj baze detare, shumë shpejt në detin Jon do të ndihej prezenca e luftëanijeve turke. Një gazetë greke e lidh zhvillimin e bazës së Pashalimanit nga Turqia, edhe me aeroportin që pritet të ndërtohet në qytetin e Vlorës, po nga ky shtet.

Ndërkohë, burime të BalkanWeb nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se baza e Pashalimanit po vlerësohet nga NATO për t’u bërë bazë e mundshme e Aleancës siç ndodhi me bazën e Kuçovës. Në tetor të vitit të shkuar Ministrja Olta Xhaçka i është drejtuar përmes një letre zyrtare komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D. Ëolters, duke i parashtruar planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, me qëllim përdorimin e saj nga NATO.

Pozicioni gjeografik dhe avantazhi që ofron baza e Pashalimanit, mund ta bëjnë atë bazën e vetme në Ballkan që do i përgjigjej sfidave të sigurisë së NATO-s.