“Turp, nuk jemi skuadër”, kapiteni i Tottenham shpërthen pas eliminimit

Tottenham pësoi një eliminim të turpshëm mbrëmjen e kaluar. Ekipi i Jose Mourinhos (kishte fituar 2-0 takimin e parë) humbi 3-0 në Zagreb përballë Dinamos vendase dhe në çerekfinalet e Europa League kaluan kampionët e Kroacisë.

Një humbje dhe eliminim që i ka shokuar të gjithë, teksa Hugo Lloris flet troç në prononcimin e dhënë për mediat, aty ku nuk i kursen kritikat ndaj shokëve të skuadrës. “Turp i madh, shpresoj që të gjithë t’i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në dhomat e zhveshjes.

Çfarë doni të them tjetër? Nuk mendoj se është momentin të flasim për ndeshjen e radhës. Shija e humbjes është e tmerrshme dhe të gjithë jemi përgjegjës. Duhet të jemi më të fortë në aspektin mental. Nëse nuk e respekton kundërshtarin tënd, ai të ndëshkon. Kështu ndodhi ndaj Dinamos.

Ata kanë merita të mëdha, besuan deri në fund. Por është faji ynë, i të gjithëve ne. Një gjë është të thuash se ne jemi ambiciozë, një tjetër është ta provosh çdo herë në fushë. Të veprosh si skuadër është gjëja më e vështirë.

Kemi kaluar momente të bukura në të kaluarën, sepse e dinim që ishim një skuadër. Tani nuk jam shumë i sigurt për këtë gjë, nuk do të isha aq i sigurt nëse jemi një skuadër apo jo“, përfundoi portieri dhe kapiteni i skuadrës angleze.