Tregjet globale vijojnë të përballen me pasiguri të lartë, ndërsa çmimet e naftës u rritën sërish të martën, të ndikuara nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria rreth negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Rritja e kostove të energjisë po shton gjithashtu shqetësimet për inflacionin dhe politikën monetare.
Nafta Brent, referenca ndërkombëtare, u rrit me rreth 2 për qind, duke kaluar mbi 107 dollarë për fuçi. Ndërkohë, nafta amerikane WTI u rrit me rreth 1.8 për qind, duke kaluar nivelin e 94 dollarëve për fuçi.
Çmimet mbeten ndjeshëm mbi nivelet e fundit të shkurtit, përpara përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, kur Brent tregtohej rreth 72 dollarë për fuçi.
Pasiguria për negociatat mban tregjet në tension
Rritja e çmimeve të naftës vjen në një kohë kur shpresat për një zgjidhje të shpejtë të krizës në Lindjen e Mesme janë zbehur. Në fundjavë, presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë propozimin e Iranit për një armëpushim shtatëditor.
Ndërkohë, ndërmjetësit po përpiqen të negociojnë një marrëveshje që do të mundësonte ndalimin e luftimeve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Irani ka propozuar rihapjen e ngushticës në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe lehtësimit të sanksioneve. Nga ana tjetër, Uashingtoni kërkon që çdo marrëveshje të përfshijë edhe çështjen e programit bërthamor të Iranit.
Palët vijojnë të kenë mosmarrëveshje, veçanërisht sa i përket afateve për zbatimin e koncesioneve dhe hapit të parë që duhet të ndërmarrë secila palë.
Rritja e kostove të energjisë shton presionin mbi inflacionin
Për tregjet financiare, pasiguria po shoqërohet me shqetësime për një rritje të mëtejshme të presioneve inflacioniste. Çmimet më të larta të energjisë ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe prodhimit, si dhe në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Në këtë klimë, investitorët po vlerësojnë mundësinë e një politike monetare më të shtrënguar nga bankat qendrore.
Në SHBA, yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit kaloi të hënën mbi 5.27 për qind, niveli më i lartë në 19 vjet. Gjatë shtatorit, yield-i është rritur me afro gjysmë pikë përqindjeje, ndërsa shitjet e bonove kanë arritur nivelin më të lartë në dy vjet.
Yield-i i bonove amerikane dyvjeçare është rritur me më shumë se 0.57 pikë përqindjeje gjatë këtij muaji dhe është afruar pranë nivelit 5 për qind.
Presioni është ndier edhe në Evropë. Yield-i i bonove 10-vjeçare të Gjermanisë arriti në 3.62 për qind, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2009.
Yield-et më të larta rrisin koston e huamarrjes për individët, kompanitë dhe qeveritë, duke ndikuar te kreditë hipotekare, kreditë konsumatore, financimi i bizneseve dhe borxhi publik. Në të njëjtën kohë, normat më të larta të interesit mund të ndikojnë në atraktivitetin e investimeve në aksione.
Tregjet e aksioneve në rënie
Pasiguria u reflektua edhe në tregjet e aksioneve. Në Azi, Nikkei 225 i Japonisë ra me 1.3 për qind, Kospi i Koresë së Jugut me 0.9 për qind, ndërsa Hang Seng i Hong Kongut humbi 0.6 për qind.
Në Wall Street, tre indekset kryesore amerikane e mbyllën seancën e së hënës në territor negativ.
Ndërkohë, Banka e Rezervës së Australisë rriti të martën normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në 4.6 për qind, niveli më i lartë në 15 vjet. Banka deklaroi se rritja e kostove të karburanteve po kontribuon në presionet inflacioniste në ekonominë australiane.
Dollari dhe ari
Në tregun valutor, dollari amerikan u forcua lehtë ndaj jenit, duke u tregtuar në 157.42 jen për dollar, ndërsa euro ra në 1.1362 dollarë.
Ari qëndroi pranë nivelit 4,160 dollarë, pas rënies së fortë të së hënës. Normat më të larta të interesit mund ta bëjnë arin më pak tërheqës për investitorët, pasi metali i çmuar nuk gjeneron interes.
Tashmë vëmendja e investitorëve është përqendruar te të dhënat e ardhshme nga SHBA-ja për inflacionin dhe tregun e punës. Këto të dhëna pritet të luajnë rol në vlerësimin e hapave të ardhshëm të Rezervës Federale, ndërsa tregjet po marrin në konsideratë edhe mundësinë e një tjetër rritjeje të normave të interesit në fund të tetorit.