Kur e gjithë bota është në kërkim të vaksinës, Presidenti Trump bën deklaratën e papritur

Pa ofruar asnjë lloj dëshmie apo mbështetje shkencore, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të premten se koronavirusi që po plandos botën “do të zhduket pa vaksinë”.

Deklaratat i bëri gjatë një takimi me bashkëpartiakët e tij republikanë, ku ndër të tjera shtoi se do ketë edhe një fazë tjetër shpërthimi para vjeshtës ose pas vitit të ardhshëm.

“Edhe viruset vdesin, sikurse gjithçka tjetër”, ka thënë ai gjatë një bisede me pjesëtarët republikanë të Kongresit. “Ky virus do ikë pa vaksinë, do ikë e nuk do ta shohim më, shpresojmë”.

Ndërkaq, eksperti kryesor për sëmundjet ngjitëse i Amerikës, Anthony Fauci, nuk mendon se Covid-19-shi do të kalojë aq lehtë. “Jam pothuajse i sigurt se do të rikthehet sepse virusi është aq i bartshëm dhe është i shpërndarë në gjithë botën”, ka thënë ai më herët gjatë javës.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi me 1.2 milionë të infektuar e më shumë se 76 mijë të vdekur. Në gjithë botën janë infektuar gati katër milionë njerëz. Më shumë se 272 mijë kanë vdekur.

Që nga fillimi i pandemisë, Trump ka bërë bujë me disa deklarata. Ai tha më herët se njerëzit mund të pinë dezinfektues për t’u shëruar, ndërsa ka përsëritur disa herë se virusi ka dalë nga një laborator në Kinë.