Topalli tregon prapaskenat: Rama dhe Basha kanë marrëveshje të fshehtë, duan të qeverisin bashkë

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli i sheh të papranueshme ndryshimet e Kodit Zgjedhor të propozuara nga Partia Socialiste në tryezën e Këshillit Politik. Topalli, me tone të ashpra ka treguar prapaskenat se çfarë do të sjellin këto ndryshime në skemën politike në vend. Gjatë një interviste për “ABC News”, ish-kryeparlamentarja deklaroi se pas zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Edi Rama dhe kreu demokrat Lulzim Basha do të bashkëqeverisin për një mandat 4 vjeçar.

Topalli tha se nëse në krye të opozitës do të ishte një kryetar që nuk do të ishte i korruptuar nga qeveria, atëherë sipas saj kryeministri do të humbiste në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk do i jepej e drejta për të marrë një mandat të tretë. Duke deklaruar hapur se do t’i bojkotojë zgjedhjet e 25 prillit, Topalli tha se nuk ka një alternativë të pastër për të shkuar drejt kutive të votimit. Ish-kryetarja e Parlamentit theksoi se PD ka rënë dakord në heshtje me PS sa u takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. “Propozimet në Kodin Zgjedhor u mbyllën derën forcave dhe kandidatëve të rinj. Heshtja e PD për mbrojtjen e sistemit, do t’i japë Ramës mandatin e tretë. Më 25 prill qytetarët nuk do të kenë alternativë, do zgjedhin mes të njëjtëve emra. Pas zgjedhjeve të 25 prillit, Rama do të ftojë në bashkëqeverisje Lulzim Bashën. Sikur Partia Demokratike të kishte një drejtues të pakorruptuar të jeni të sigurt që Rama do të humbte zgjedhjet.

Do të votoja po të kishte një lëvizje për ndryshim, një lëvizje për të rrëzuar këta tre oligarkë dhe do të punoja për këtë. Është dëshpëruese por i shoh edhe të frikësuar kur ata kërkojnë me çdo kusht që të mos lejojnë askënd të futen në abdomenin e tyre. Fillimi i krijimit të këtyre forcave politike ka sjellë këto ndryshime të Kodit, ato janë propozuar nga PS dhe janë mbështetur në heshtje nga PD”, u shpreh Topalli.

Humbja e betejës së PD

Ish-kryeparlamentarja duke i cilësuar Ramën-Bashën-Metën-Kryemadhin si oligarkë, deklaroi se ata po marrin peng vendin. Për Topallin, opozita ka ikur nga fusha e betejës dy vite më parë kur dogji mandatet, që sipas saj la në mes misionin e tyre për t’i kërkuar llogari qeverisë për të gjitha aktet korruptive. Ajo shtoi se 3 liderët politikë po tentojnë bllokimin e partive të reja politike, por shprehet optimiste se një lëvizje e re për ndryshim do vijë. “Nuk do të lejoj që jeta e shqiptarëve të sillet rreth katër emrave. Është kjo arsyeja që do të flas. Ata janë kufizuar në interesin e tyre privat, me sjelljen e tyre janë kthyer në tre Lukashenko të vegjël. Ata po reagojnë që të mbyllin çdo forcë politike për t’u futur në Parlament që të marrin mandatin e tretë.

Një lëvizje për ndryshim ka për të ndodhur në Shqipëri. Tre oligarkë që janë Lulzim Basha, Edi Rama dhe Ilir Meta së bashku me bashkëshorten e tij kanë vendosur që varfëria të vendoset në ato nivele ku shqiptarët s’munden të jetojnë në shtëpitë e tyre, kjo nuk mund të lejohet dhe tolerohet gjatë. Ata e kanë çuar vendin afër greminës. Kjo ka fajtor dhe ka emra. Opozita ka ik nga fusha e betejës. Nëse opozita do të ishte në parlament dhe do të kërkonte llogari ministrave dhe do të denonconte çdo akt korruptiv atëherë do kishim rezultate”, u shpreh ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.