Thaçi pensionohet nga politika: Pas pak muajsh largohem nga jeta publike (VIDEO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do të dalë në pension. Ai në intervistën me gazetarin Çim Peka në “SYRI TV” theksoi se do largohet nga politika.

“Ndoshta dikush do të gëzohet, por unë ndjehem i përmbushur për të kaluar në një faze tjetër të jetës, me energjinë, kreativitetin dhe përvojën time,” tha Thaçi, duke shtuar se ai ka fituar shtatë palë zgjedhje.

Ai ka nënvizuar se do ti përkushtohet jetës private dhe të jetojë më tej si një qytetar i zakonshëm i Kosovës.

“Bota është e mundësive, mundësitë janë shumë të mëdha. Unë nuk e shoh këtë çështje me moshë. Unë jam në moshën më të mirë dhe çdo ditë ndjehem me energji të reja. Por mendoj se nuk duhet shikuar politika si biznes privat. Nuk e kam mbijetesë, e kam pasur mision. Ka ardhur që unë një ditë të zgjohem si një qytetar i zakonshëm”, theksoi Thaçi.

“Do të vazhdoj të jetoj në Kosovë, por privatisht do kem më shumë vizita në Tiranë se kam shumë miq,” tha Thaçi.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen e mundshme me Serbinë, që sipas tij mund të vijë më shpejt nga sa mendohet, por ajo nuk përfshin ndryshim territoresh.

“Marrëveshja me Serbinë nuk është e lidhur me individin. Unë dua të besoj te zotimi i SHBA se do lidhin shpejt dhe mirë për arritjen e marrëveshjes. Prandaj besoj se në javët apo muajt e ardhshëm do kemi një lëvizje të shpejtë. Marrëveshja do vijë më shpejt nga sa mendojnë disa pesimistë. Marrëveshja finale nuk do përfshijë as shkëmbim dhe ndryshim territori,” nënvizoi presidenti i Kosovës.

Video: