Sondazhi! PS apo PD? Ja kush fiton bindshëm në Tiranë nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot

Nga sondazhi i publikuar nga Instituti Piepoli në Report Tv rezulton e njëjta matje opinioni në datë 7 prill, të paktën për 3 forcat më të rëndësishme politike.

Nëse sot do të votohej në Qarkun e Tiranës, për Partinë Socialiste do të votonin 49-53%, shifër kjo e përkthyer në 18-20 mandate deputetësh.

Në këtë mënyrë PS do të ruante rezultatin e vitit 2017, duke pretenduar një rritje me 2 deputetë. Për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ndryshim do të votonin 36-40% ose 12-14 mandate.

Sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim LSI do të merrte 4-8% të votave, ose 1-3 mandate. Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 2017 LSI ka fituar në 5 mandate me një përqindje votash gati 13.45%.

Të vetmet që kanë lëvizur krahasuar me sondazhin e para 11 ditëve janë partitë e vogla. Konkretisht në këtë sondazh të ditës së sotme, PSD ka një rritje me 1 pikë përqindjeje duke shkuar në 0-2%.

Ndërkohë që surpriza është Nisma Thurje, e cila do të merrte 1-3% të votave ose përkthyer në mandate 0-1 mandate. Në garë për mandat në kryeqytet është edhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit e cila nëse do të votohej sot do të merrte 0-2% të votave.