Shifra marramendëse/ Zbulohet sa do të paguhet Zidane si trajner i Francës

### Zidane merr 300 mijë euro në muaj, zbardhen detajet e kontratës me Francën

Zinedine Zidane e ka përshkruar prej vitesh drejtimin e Kombëtares së Francës si një nga ëndrrat e tij profesionale. Pas emërimit në krye të “Les Bleus”, ish-trajneri i Real Madridit e ka nisur aventurën e re me rezultate pozitive, duke regjistruar dy fitore në dy ndeshjet e para ndaj Turqisë dhe Belgjikës në Ligën e Kombeve.

Ndërkohë, janë bërë të ditura detaje të reja rreth marrëveshjes së tij me Federatën Franceze të Futbollit.

Sipas raportimeve të “L’Équipe”, Zidane përfiton një pagë fikse prej **300 mijë eurosh në muaj**, e njëjtë me atë që merrte paraardhësi i tij, Didier Deschamps.

Megjithatë, mënyra e shpërblimit ndryshon në disa aspekte. Zidane ka hequr dorë nga bonuset që lidhen me të drejtat e imazhit, të cilat parashikoheshin për ndeshjet e Kombëtares dhe aktivitetet promocionale të lidhura me sponsorët e Federatës.

Gjatë periudhës së Deschamps, këto pagesa raportohet se arrinin në rreth **44 mijë euro për ndeshje**, një shumë më e lartë se ajo që përfitonin lojtarët.

Vendimi i Zidane lidhet edhe me marrëdhëniet e tij personale me sponsorë. Ish-fituesi i “Topit të Artë” ka bashkëpunime me marka të njohura, përfshirë Adidas, ndërsa Federata Franceze e Futbollit ka marrëveshje sponsorizimi me Nike.

Në vend të këtyre bonuseve, kontrata e re parashikon shpërblime më të mëdha në rast të arritjes së rezultateve të rëndësishme në turnetë madhorë ndërkombëtarë, përfshirë Kampionatin Evropian dhe Kupën e Botës.

Kështu, struktura e kontratës së Zidane duket e orientuar më shumë drejt rezultateve sportive në kompeticionet kryesore, ndërsa sfida e tij është rikthimi i Francës në garën për trofetë më të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar.