SHBA e vendosur për Berishën, nuk pranon negociata dhe paralajmëron sekuestrim të pasurive sipas vendimit të Biden

Amerikanët kanë refuzuar tentativat e ish-kryeministrit Sali Berisha për të negociuar me ta pas shpalljes “non grata”. Në korridoret e politikës prej javësh po flitet se ish-kryeministri Berisha po tenton konsensus me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim që të ndalojë “Foltoren” dhe planin për rrëzimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike. Të enjten në mbrëmje ishte gazetari Baton Haxhiu që zbuloi se zoti Berisha kishte futur ndërmjetës për të biseduar me amerikanët dhe se ai, sipas tij, ishte deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.

Por këto lëvizje kanë sjellë reagimin e ashpër të ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila është shprehur prerë se nuk ka asnjë negociata dhe tolerim për personat e shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, diplomatja Kim thumboi ish-liderin demokrat, i cili prendon se është shpallur “non grata” nga DASH pa pasur asnjë provë kundër tij, duke theksuar se faktet për përfshirjen në afera të pamohueshme. Madje, zonja Kim ka kërcënuar hapur ish-kryeministrin Berisha, pasi ka publikuar memorandumin anti-korrupsion të nxjerrë dhe firmosur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili kërkon sekuestrimin e pasurive për të gjithë personat e shpallur “non grata” nga SHBA, duke dhënë sinjale se mund të shkohet te ky hap. “7031 (c) përcaktimi nuk i nënshtrohet “negocimit” dhe askush nuk duhet të pretendojë të jetë “ndërmjetës”.

Ata të caktuar mund të fajësojnë komplotet, por faktet janë të pamohueshme. Presidenti Biden e ka bërë të qartë se SHBA do të kërkojë llogari nga ata që përfshihen në korrupsion”, shkruan Kim. Pra, ky reagimi ia ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, se nuk ka negociata me personat e shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe se do t’iu kërkohet llogari atyre nga SHBA, është një sinjal i keq për ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilit madje mund t’i sekuestrohet edhe pasuria.

Kujtojmë që më 19 maj të këtij viti DASH shpalli “non grata” Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. Pas vendimit të SHBA, Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të kombit shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ishte ai që bëri publik vendimin e SHBA.

Madje, Berisha ka akuzuar lobimet e kryeministrit Edi Rama, si “fajtorë” në vendimin e marrë kundër tij, ndërsa pretendon se për të nuk ka prova, ndaj edhe sipas tij, nuk bëhen publike. Por beteja e ish-kryeministrit Berisha tashmë nuk është vetëm kundër SHBA, por edhe kundër “birit të tij politik” Lulzim Basha, i cili pranoi kërkesën e amerikanëve duke e përjashtuar liderin historik të PD nga partia, deri në zbardhjen e të vërtetës në rrugë ligjore.