Selmanaj: Turri dhe vrapi për ta takuar Vjosen, turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK-në

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar pas deklaratave të kreut të partisë së tij, Lumir Abdixhiku, se gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë takime me Vjosa Osmanin, lidhur me mundësinë e përkrahjes së saj për presidente.

Selmanaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se çdo përpjekje për ta nda apo diferencuar Osmanin nga Kurti dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferuar mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik.

Postimi i plotë i Selmanajt:

“Çdo përpjekje për ta nda apo diferencu Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik.

“Turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosen, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj”, ka shkruar Selmanaj.

Ndryshe zëvendsëkyrministri në detyrë, Driton Selmanaj, i cili ka fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk është përfshirë nga Lumir Abdixhiku në listën e anëtarëve të kryesisë së re të LDK-së.

Selmanaj njihet për përplasjet e tij në Kuvend me Vjosa Osmanin.