“Sa para i kushtuan Edi Ramës 2 orë e 12 minuta në emisionin “Zonë e Shtrenjtë”?

Arian Çani e ka thënë me sinqeritet se ai ka çmim shumë të shtrenjtë kur është fjala për të mbështetur dikë politikisht. Pra, “Zona e Lirë” është “Zonë e Shtrenjtë” për atë që kërkon mbështetje politike.
Sa më i pasur klienti, më falni “i ftuari” aq më e madhe pagesa. Dhe mbrëmë klienti ishte një nga politikanët më të pasur që ka bota sot, Edi Rama.

Këtë herë u vu re që Çani nuk e quante më Ramën “Ramsi”, nofkë që ai thoshte se ia kishte vënë për shkak të ngjashmërisë së mbiemrit të Ramës me atë të faraonit Ramses. Dhe kjo ka çmimin e vet.

Si asnjëherë tjetër Çani tha se një sms që i kishte ardhur për emisionin e kishte shkruar në skedat e tij për ta mbajtur mend dhe e lexoi atë. Por skedat bëhen një ditë ditë para emisionit në shtypshkronjë, ku teksti i tyre dërgohet dy ditë para.

Kjo skedë-sms kishte një përmbajtje të tillë që ajo duhet të ketë pasur kosto shumë të shtrenjtë financiare për t’ u lexuar. Ja cila ishte përmbajtja e saj, siç e lexoi Çani:

“E di se ç’ më çoi një mesazh njëri, e shënova këtu se s’ doja ta harroja. Më tha: Rama ka të drejtë, e di tha që ti nuk je dakord me Ramën për shumë gjëra dhe nuk e mbështet, tha dhe më çoi një gjë që unë s’ e kuptoj vëlla dhe do ma thuash me dy llafe. Më tha, ja pse ka të drejtë dhe më rradhiti katër gjëra, që unë nuk i kuptoj fare se më ke injorant total te kjo pjesë: 500 herë është rritur çmimi i gazit, 250 herë energjia elektrike, Ramë do të ma shpjegosh ti këtë ç’ domethënë, 80 dollarë fuçia e naftës në tregun ndërkombëtar. Problemi është rritja e kostos në burim. Ç’ do të thotë kjo? Është e saktë?”

128 fjalë ka pasur kjo “sms” e lexuar dhe këto janë me siguri 128 fjalët më të paguara të lexuara ndonjëherë në median shqiptare.

Rama tha: “Ka shumë të drejtë, nëqoftëse flet për tregun ndërkombëtar ka shumë të drejtë.”
Domethënë Rama i dha të drejtë vetes për përmbajtjen e skedës që I kishte dhënë paraprakisht Çanit.

“Është e saktë kjo?”-Pyeti Çani.

“Shumë e saktë.”- U përgjigj Rama.

Sms-ja e rreme nuk sqaronte se në ç’ periudhë kohe ka ndodhur kjo rritje 500 herë çmimi i gazit dhe 250 herë e çmimit të energjisë elektrike, në peridhën që nga lindja e Ramës në 1964 e këtej, apo në periudhën që nga krijimi në 1941 i partisë që sot drejton Rama me emër të ndryshuar Partia Socialiste. apo pas. As Çani nuk e pyeti Ramën për periudhën. Çani u mjaftua me atë që Rama i dha të drejtë dërguesit të panjohur të sms-së.

Nejse. Kur nisi kriza financiare globale në 2007 dhe kryeministër ishte Berisha, i cili ankohej për pasojat e kësaj krize në Shqipëri, Rama thoshte se fajin e ka Saliu, madje këtë e ka thënë edhe në emisionin “Zonë e Lirë” (kështu ka qenë për Ramën në opozitë), që do të thotë se me logjikën e Ramës opozitar sot duhet thënë: Fajin e ka Edi!

Meqënëse Sali Berisha ishte pika e dytë e temës së pjesës së emisionit ku i ftuar ishte Rama, Çani duhet t’ ia kishte kujtuar edhe këtë gjë, të cilën madje mund ta sillte edhe me video nga emisionet e tij të asaj kohe.

Titulli i pjesës së emisionit ku ishte i ftuar Rama, tregonte qartë se emisioni ishte i blerë nga Rama. Titulli ishte: “Rama përballë tre krizave: Energjia, Berisha dhe Europa”.

Domethënë Berisha, i cili është larguar nga pushteti para tetë vjetësh na qenka një temë më e rëndësishme se procesi i hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian, që vinte si temë e tretë në radhë?! Në vend të Berishës mund të ishin si temë e ditës offshoret, me rastin e zbulimit të Pandora Papers, kriminaliteti i shtuar në vend, apo afganët për të cilët qeveria nuk po bën transparencë se kush po e paguan strehimin e tyre në resorte turistike luksoze.

Shndrrimi i Berishës në tema nr. 2 e ditës në një bisedë televizive me kryeministrin është një mënyrë e llogaritur për të mbuluar problemet që duhet të përbënin tema të cilat duhet të diskutoheshin në emision. Dhe kjo lojë ka koston e vet financiare që e pagoi Rama para emisionit.

Pastaj në emision erdhi Ariani nr, 2 i emisionit, i quajtur filozof-teolog-politolog-avokat, Arian Curri për të cilin Çani tha se u vonua pasi kishte një takim me disa klientë të rëndësishëm të huaj pasi punon edhe si avokat.
Dhe Curri e ndërpreu bisedën me ta për shkak të një klienti më të rëndësishëm, kryeministrit.

E para gjë që tha Curri në emision ishte një gafë historike. Ai tha se Perikliu kishte qenë mbreti i Athinës së Vjetër. Në asnjë libër historie nuk do ta gjeni një gjë të tillë. Athina e Vjetër ishte qytet-shtet prandaj Perikliu njihet si kryetari i bashkisë më i famshëm I të gjitha kohërave.

Rama mund të ketë ngjashmëri me Perikliun për atë që Rama sot e sundon Shqipërinë përveçse si kryeministër edhe si kryetar i të gjitha bashkive të vendit, pasi pothuajse të gjitha bashkitë i ka Partia Socialiste.

Në vazhdim, Curri, i quajtur “snaiper” i emisionit, tha atë gjë që i ishte kërkuar të thoshte sipas skenarit të emisionit. Curri tha si të vërtetë të mirëqenë një gjë që duhet të ishte një ide për t’ u debatuar: “Ramën përveç vetvetes nuk e rrëzon dot më njeri tani.”

Çdo politolog serioz (Meqë ra fjala politolog quhet ai që ka bërë libra me studime për politikën, që Currit i mungojnë.) do të kishte gjetur në thënien e mësipërme të Currit një shkak për të ngritur pyetjen: Çfarë lloj pushtetmbajtësi është një kryeministër të cilin nuk e rrëzon dot askush veç vetvetes kur gjendet në mandatin e tretë qeverisës, të cilin e ka marrë duke fituar të dytat zgjedhje radhazi pa program, pasi në zgjedhjet e para (2013) e ka marrë pushtetin në aleancë me njeriun (Ilir Metën) kundër të cilit kishte ngritur një protestë për antikorrupsion që përfundoi me katër të vrarë? Një kryeministër i cili ka mbajtur pushtetin për tetë vjet pa arritje ekonomike, dhe që sapo ka paralajmëruar krizë dhe rritje çmimesh?

Fakti që opozita është e dobët nuk e shpjegon dot këtë siguri të pushtetit të Ramës sepse populli mund të mos votojë për opozitën por nuk voton as për partinë e Ramës. Pra Partia Socialiste nuk merr nuk merr shumicën e votave të votuesve të zhgënjyer. Një kryeministër që e ka pushtetin e garantuar megjithë mungesën e arritjeve dhe paralajmërimin prej tij të krizës ekonomike është një kryeministër që i vjedh votat në një mënyrë apo në një tjetër.
Të gjithë analistët e medias në shërbim të diktatorëve si Rama, të maskuar me procedura zgjedhore të demokracisë së rreme, fajësojnë popullin për të bërë alibinë e diktatorit, sipas formulës: “Këtë popull kemi, këtë qeverisje meriton”.

Në të vërtetë populli nuk është lejuar kurrë të zgjedhë lirisht.

Një politolog serioz do ta kishte pyetur Currin se përse Rama që paska kaq siguri në vazhdimësinë e pushtetit vuri në krye të Policisë së Shtetit Drejtorin e Antiterrorit, një gjë që ndodh vetëm me diktatorët që parashikojnë rreziqe të mëdha në të ardhmen.

Pas Currit i erdhi radha në emision avokatit-politikan Adriatik Lapaj. Mes Çanit dhe Lapajt u bë ky dialog domethënës:

Arian Çani: Adriatik Lapaj, njeriu që organizoi një protest tek pullë, urime!

Adriatik Lapaj: S’ e organizova, unë dola, njerëzit u bashkuan!

Këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se përse një avokat, aktivist shoqëror dhe politikan, ka frikë të thotë se ai ka bërë thirrje që njerëzit të protestojnë kundër qeverisë, madje edhe të marrë përsipër organizimin e një proteste? Kjo tregon se çfarë regjimi është vendosur në vend. Adriatik Lapaj mund të kishte dalë si organizator dhe të kërkonte leje në Polici. Nëse kërkesa nuk i pranohej me arsyetimin e masave për pandeminë ai mund të thoshte se ato ishin shkelur edhe gjatë fushatës zgjedhore dhe se nuk pranonte sjelljen e dyfishtë policore. Pra të merrte përgjegjësinë e veprimit që bëri.

Nga njerëzit që iu bashkuan protestës së inicuar nga Llapaj Policia procedoi katër vetë dhe Lapaj nuk ka thënë se ai është njëri ndër ta.

Lapaj kishte detyrim ta pyeste kryeministrin për këtë gjë, dhe Rama nuk mund të thoshte se ai nuk ndërhyn në punët e Policisë pasi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron drejtpërdrejt ai dhe Policia bën një trajtim të dyfishtë të tubimeve ku merr pjesë kryeministri dhe të atyre ku protestohet ndaj tij.

Duke heshtur për fatin e njerëzve që nxorri në protestë në një mënyrë apo në një tjetër, Lapaj praktikisht doli si provokator që kishte garancinë policore se nuk do të kishte pasoja.

Rama i përzgjedh gjithmonë njerëzit me të cilët pranon të debatojë në emisione televizive. Të njëjtën gjë e bëri dhe me Lapajn të cilin e me sa duket kërkon ta promovojë si një prej liderëve të opozitës së rremë.

Sa para i kushtuan mbrëmë Edi Ramës 2 orë e 12 minuta (132 minuta) në emisionin “Zonë e Shtrenjtë”?
Një minutë publicitet tregtar në emisionin “Zonë e Lirë” kushton 2700 euro. (gjatë emisionit)

Por publiciteti më i kushtueshëm në televizionet shqiptare është fjala e politikanëve pushtetarë dhe fjalët e mira për ta të thëna nga analistët e paguar prej tyre.

Sa për të krijuar një ide, le të bëjmë një llogari mbi bazën e tarifave për publicitetin tregtar të mirëfilltë:
132x 2700=356400 euro

Iu duken shumë? Në të vërtetë tarifa për publicitetin politik është më e lartë. Dhe duhet të dini që drejtuesi i emisionit ka një kontratë me pronarin e Tv Klan Aleksandër Frangaj për të marrë përqindje të të ardhurave të emisionit. Dhe kjo është një kontratë e ndërlikuar. Zbatohet drejtpërdrejt në të ardhurat nga publiciteti tregtar dhe tërthorazi në të ardhurat nga publiciteti politik.

Një pjesë të shumës së mësipërme Rama e paguan drejtpërdrejt në cash, ndërsa pjesën tjetër e paguan në mënyra të tjera sipas interesave të Sandër Frangajt. Siç thashë në fillim, Zonë e Shtrenjtë.

Ariani nr. 2 i “Zonës së Shtrenjtë”, Arian Curri duhet të lodhë mendjen më tepër për të gjetur krahasime historiko-teologjike për Ramën, që të kalojë me shtëpi nga Vaqarri te lagjet rezidenciale të Samir Manes i cili mban llogarinë e krediteve politike të analistëve pro Ramës në Tv Klan./Kastriot Myftaraj