Rusia kërcënon Bosnjën, nëse kjo e fundit anëtarësohet në NATO

Rusia do të “duhet të reagojë” nëse Bosnja dhe Hercegovina bashkohet me NATO, thotë ambasada ruse në Sarajevë. Ambasada shkruajti se në “rastin e një afrimi praktik” të Bosnjës dhe NATO-s, “vendi ynë do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”.

Në një artikull në faqen e saj të internetit, ambasada pyeti “a është NATO një spital mendor i krijuar për të hequr pacientët e saj nga frika dhe fobitë ekzistuese?” duke shtuar: “nga kush ka frikë Bosnja dhe Hercegovina?”.

Dhe zyrtarët boshnjakë denoncuan “kërcënimin” të premten, për të cilin Zeljko Komsic, anëtar kroat në presidencën trepalëshe të Bosnjës, tha se ishte një kërcënim jo vetëm kundër Bosnjës por edhe aleatëve të saj perëndimorë.

“Është padyshim një lojë gjeopolitike të cilën Rusia po e luan për të ndaluar zgjerimin e NATO-s në Evropë”, ka thënë Komsic. Ndërsa partia kryesore boshnjake e veprimit demokratik tha se deklarata ruse përfaqëson “një ndërhyrje tjetër të papërshtatshme” nga Moska në punët e brendshme të Bosnjës.

Deklarata ruse vazhdoi duke thënë se asnjë zgjerim i NATO-s nuk i ka përmirësuar marrëdhëniet midis Rusisë dhe anëtarëve të rinj dhe se “vetë zgjerimi dobëson sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.Bosnja është pjesë e Planit të Veprimit të Anëtarësimit të NATO-s, një program këshillimi dhe ndihme i hartuar për vendet që dëshirojnë të bashkohen në aleancën ushtarake, e cila aktualisht është e përbërë nga 30 vende të Evropës dhe Amerikës së Veriut.

Bosnja, Kosova, si dhe aleati i Rusisë, Serbia, mbeten të vetmet kombe të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të NATO-s. Ndërkohë Mali i Zi u bashkua me aleancën në vitin 2017 ndërsa Maqedonia e Veriut u bë anëtare vitin e kaluar.