Rishfaqet Elvana Gjata, dyshimet mbi jetën private dhe projekti që mbeti pezull

Pas një periudhe mungese në jetën publike dhe rrjetet sociale, këngëtarja Elvana Gjata është rikthyer pas “zhdukjes misterioze”, duke ndarë disa foto me një mesazh domethënës në llogarinë e saj.

“Askush nuk mund të ta mbyllë gojën. Fol!”, shkruhet në fotot e këngëtares, e cila mban në duar një poster.

Elvana ka zgjedhur një veshje në ngjyrë bezhë dhe një ‘look’ minimalist për këto foto, duke ia lënë gjithë vëmendjen mesazhit që ka dashur të përcjellë. Pas këtij seti, ajo ka postuar një tjetër foto, ku shfaqet në stilin e viteve ’90, ndërkohë që ndjekësit nuk reshtin me pyetje se ku ka qenë gjithë këto kohë të karantinës dhe a ka plan ta publikojë projektin që njoftoi para disa muajsh.

Ndërkohë, në lidhje me mesazhin që dha së fundi në “Instagram”, ndjekësit e pyesin nëse i është bashkuar paksa me vonesë protestës së figurave të njohura publike, që u bënë bashkë në një marshim të gjatë nga sheshi “Nënë Tereza”, i cili dënonte abuzuesit, apo nëse e ka fjalën për tjetër gjë dhe po flet me mesazh të koduar.

Shumë prej fansave kanë ngritur dyshime për jetën e saj private, nisur nga disa lajme se ajo mund t’i kishte dhënë fund fejesës me Ervin Matën, lajme që mbetën në kuadrin e thashethemeve. Kujtojmë që gjatë karantinës për shkak të Covid-19, Elvana anuloi koncertet dhe u vetizolua në shtëpi për të mos u prekur nga koronavirusi.

Këngëtarja u shpreh se ishte e rëndësishme qëndrimi brenda dhe larja e duarve çdo 5 minuta. Ajo madje u bëri thirrje shqiptarëve të mos i kapë paniku dhe të ruajnë qetësinë.

“Kam anuluar koncertet, por ajo që ka më shumë rëndësi është që të qëndrojmë në shtëpi. Jemi më të sigurt për veten dhe të tjerët. Sa herë në ditë i laj duart? S’i kam numëruar, por çdo 5 minuta po. Nëse dikush nuk ka një nevojë urgjente për të dalë jashtë, duhet të qëndrojë në shtëpi.

U bëjmë mirë të gjithëve nëse qëndrojmë në shtëpi. Shqiptarët duhet që të ruajnë qetësinë, të mos i kapë paniku. E kemi vërtetuar se kemi kaluar sfida më të vështira. Jam e bindur se do ta kalojmë. Tregoni fokus, nëse doni prindërit, familjarët, gjyshërit, është shumë e rëndësishme të qëndroni në shtëpi”, shkruante ajo dhe kjo ishte deklarata e fundit e saj për gjithë këta muaj. Ndërkohë u tha se Elvana gjatë karantinës po punonte për një projekt të ri, duke vazhduar rrugën e saj drejt suksesit ndërkombëtar.

Pas largimit e zhgënjyer nga skena e Festivalit të RTSH-së, ku zuri vendin e dytë, ajo zbuloi projektin me të cilin po merrej. Elvana po përgatitej për të sjellë një këngë me producentin e famshëm Poo Bear, me të cilën ka pasur edhe bashkëpunime të mëparshme. “One in a billion” titullohet kënga që pritej të publikohej, por që ende nuk ka një lajm në ç’fazë të realizimit është deri tani.

Lajmi u bë publik nga këngëtarja, e cila bëri repost postimin e producentit, ku shkruhej: “One in a billion .. Të fokusuar në pasionin tonë. E mrekullueshme të punosh me ty Elvana!”

E ndërkohë që u bë e gjallë në rrjetet sociale, në jetën reale Elvana ka kohë që ka munguar. Madje, mungesa e saj u vu re edhe në premierën e filmit “I love Tropoja” të mikut të saj, Ermal Mamaqi. Mes shumë të ftuarve VIP ra në sy mungesa e ish-partneres së tij në filmin “Dy gisht mjaltë”. Mikesha për kokë e Ermalit mungoi në premierën e filmit të producentit, që romancën e tij këtë herë si aktor protagonist e ndau me këngëtaren Enca Haxhia dhe aktoren nga Tropoja, Arjola Demiri.

Të pranishmit filluan të flisnin nëse bëhej fjalë për një prishje miqësie mes Ermalit dhe Elvanës, apo kjo ishte thjesht një arsye personale e Elvanës për të mos shkelur më në Pallatin e Kongreseve, skena nga e cila iku e zhgënjyer, pasi nuk fitoi Festivalin e Këngës në RTSH, me këngën e saj “Me tana”. Ermal Mamaqi, në fjalimin e tij para premierës, nuk la pa e komentuar mungesën e Elvanës, duke treguar se Gjata s’kishte mundur dot të vinte, pasi ishte jashtë Shqipërisë për një koncert.

Më tej, ai bëri një batutë duke iu drejtuar Elvanës në mungesë me fjalët: “Me këtë që bëre, që nuk erdhe në këtë premierë, po të them që ta bëri mirë juria e Festivalit që të vuri dysh”.

Të gjithë të pranishmit në sallë qeshën, ndërsa dyshimet u shtuan kur panë se në “Instagram”-in e saj, Elvana nuk bëri asnjë postim për arritjen e re të Ermalit në kinema, ashtu siç bëjnë miqtë për njëritjetrin. Kujtojmë që para një viti, Elvana Gjata dhe Ermal Mamaqi mblodhën shumë personazhe VIP në premierën e filmit të tyre “Dy gisht mjaltë”, që u shfaq në një nga kinematë e Tiranës. Momentet intime ishin ato më të përfolurat në filmin e ri komedi “Dy gisht mjaltë”, ku luanin protagonistët Ermal Mamaqi dhe Elvana Gjata.

Vetë këngëtarja foli për këtë pjesë delikate në premierën e filmit dhe u vu re se e kishte shumë të vështirë, duke qenë se Ermalin e konsideronte si vëlla. “Si s’më hëngri mortja që të putha ty në buzë”, i tha Elvana Ermalit, i cili në film quhej Ervin, njësoj si i fejuari i saj, Ervin Mata. Para gjithë personazheve të njohura që do të ndiqnin filmin, Elvana ndau përjetimet e puthjeve të kinemasë, që zbulonin dhe mënyrën sesi ajo puth në jetën reale.

Nuk vonoi shumë dhe mediat publikuan disa pamje ekskluzive nga filmi “Dy gisht mjaltë”, që zbulonin stilin e puthjeve të tyre në buzë. Elvana Gjata u shfaq e veshur nuse në filmin me kolonën zanore ,krijuar nga reperi Lyrical Son. “Pa dashuri” titullohej kënga me imazhe nga filmi, ku në një prej skenave ajo shfaqej e veshur nuse. Ajo i thoshte “Po” në altar partnerit Ervin (Ermal Mamaqit), duke marrë bekimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, i cili u bë pjesë e filmit në skenën kulminante.

Gjithashtu, në një pjesë të filmit, Elvana mësohet se aksidentalisht ndodhej në një makinë ku kishte drogë dhe pasi u pikas, u arrestua nga Policia. Kuptohet që të gjitha situatat në film ishin thjesht komike, por që bënë bujë të madhe. Pas xhirimeve të filmit, Elvana bëri pauzë për shkak të ngjarjes së rëndë që ndodhi në Bllok, ku u përfshi i fejuari i saj. Premiera e filmit ku ajo luante u shfaq në një datë të mëvonshme nga ajo që ishte njoftuar, pikërisht për shkak të kësaj situate.

Kjo shtyrje e premierës, me protagoniste kryesore Elvana Gjatën, erdhi pasi ajo shkroi statusin e parë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ish-Bllok, ku sqaronte gjendjen e saj shpirtërore. Falë miqve të njohur, Ermal Mamaqi dhe Valdrin Sahiti, u njoftua rikthimi i saj. Në atë periudhë, Elvana ngriu “Instagram”-in dhe nuk postoi asnjë foto, për t’u rikthyer në tapetin e kuq të kinemasë ku do të shfaqej premiera dhe këtë herë parakalonte jo si këngëtare, por si aktore protagoniste.

Le të shohim se si do të jetë rikthimi i Elvana Gjatës pas karantinës, ndërkohë që të gjithë këngëtarët e tjerë “Big” duket sikur janë vënë në garë, kush e kush të publikojë i pari projektin e punuar gjatë izolimit.