Ngjela paralajmëron tërmet në politikë: Lulzim Basha dhe Berisha nuk do jenë më deputetë në 2021

Avokat i njohur, Spartak Ngjela vijon të këmbëngulë se ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të jetë makth i politikanëve shqiptarë. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, avokat Ngjela u shpreh që nuk mund të ketë një reformë zgjedhore reale nëse nuk përfundon reforma në drejtësi.

Në këtë kontekst, zoti Ngjela theksoi se nëse bëhen lista të hapura, ish-ministrat dhe ish-kryeministrat nuk mund të zgjidhen deputetë në vitin 2021, pasi sipas tij, ata jenë subjekt të SPAK.

“Le të bëjnë 20 reforma zgjedhore. Ne do të marrim frymë si shoqëri kur të marrë fund reforma në drejtësi dhe ajo anti-korrupsion. Me këto reforma që kanë nisur, 4 liderët kryesorë, duke përfshirë ish-ministra dhe ish-kryeministra nuk do të marrin pjesë si deputetë në zgjedhjet e vitit 2021 se nuk do t’i lërë reforma. Do të jenë nën kontroll ligjor. Ajo që këta duan të bëjnë është se duan të manipulojnë zgjedhjet. Nuk duan të kenë lista të hapura, dhe nuk dalin deputet se nuk i do populli. As Rama nuk del dot deputet me lista të hapura, Basha jo e jo.
Perëndimi i ka listat proporcionale të hapura. Nuk zgjidhet partia se është nocion abstrakt”, deklaroi ai.

Ndërkohë, duke komentuar përplasjen mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të KED, avokat Spartak Ngjela theksoi se Dvoranit ia jep Kushtetuta të drejtën për të vijuar në atë post, duke theksuar se ndërkombëtarët janë angazhuar fuqishëm në vendin tonë për të rigjallëruar reformën në drejtësi.

“KLGJ e ka të domosdoshme që tu drejtohet dy organeve ndërkombëtare, EURALIUS dhe OPDAT, si ekspertizë juridike, sepse kërkon të tregohet e paanshme në lidhje me presidentin. Por jam i bindur që të dyja këto institucione do thonë se: Dvorani qëndron në detyrë sipas Kushtetutës, e cila i kërkon të qëndrojë në atë post derisa t’i vijë zëvendësuesi. E gjithë politika perëndimore në këto momente po rigjallëron luftën për reformën në drejtësi që ta çojë deri në fund dhe luftën kundër korrupsionit shqiptar të lartë politik. Që nga viti 1996 e deri më sot. Ky spektër politik, i cili mban në suazën e vet kryeministra, presidentë, ministra dhe deputetë do shkojë deri në fund”, – nënvizoi Ngjela.