Lajm i madh! Shqipëria rinis fluturimet ndërkombëtare nga 22 qershori

Duke nisur nga e hëna (22 qershor) Shqipëria do të rihapë linjat ajrore nën masa të rrepta sigurie kundër përhapjes së koronavirusit.

Është vetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që njoftoi rihapjen e tyre ku për më tepër shtoi se skedulet do të miratohen në vijim nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Operatorët ajrorë duhet të marrin masat e nevojshme të higjienës të diktuara nga Ministria e Shëndetësisë për të garantuar mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Shoqëritë ajrore duhet të bëjnë çdo përgatitje dhe të kenë gati planet e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, të miratuar me Urdhërin Nr.169, datë 5 qershor 2020, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkaq Autoriteti i Aviacionit Civil do të monitorojë rigorozisht zbatimin e këtyre masave.

Operatorët ajrorë që operojnë për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të jenë përgjegjës për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga TIA për në aeroportin e destinacionit të synuar.