Koha kur Veliaj dhe Spiropali protestonin kundër Fatos Nanos, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Qeveria ka bërë gati vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, kjo si masë për përballimin e krizës së që pritet të godasë vendin, siç ka parashikuar Kryeministri Edi Rama.

Socialistët e thjeshtë heshtin se s’kanë zgjidhje tjetër, sepse edhe ata do vuajnë një tjetër rritje të çmimit të energjisë elektrike, e cila brenda pak muajsh në faturën e tyre të përmuajshme do të vijë më e shtrenjtë, çka do të thotë më pak para në xhepat e qytetarëve dhe buxhetin familjar.

Për ironi të fatit heshtin edhe Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, dy personazhet e rëndësishme të PS së sotme, të cilët dikur militonin te “Lëvizja Mjaft” dhe protestonin kundër qeverisë së Fatos Nanos, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Në rrjete sociale, qarkullon një foto nga një prej protestave të Veliajt dhe Spiropalit në Bulevard, kundër vendimit të qeverisë “Nano” dhe aksioni qytetar argumentohej me varfërinë dhe pamundësinë ekonomike të shqiptarëve. “Duam azil elektrik”, shkruhej në banderolën që mbante në dorë Veliaj.

Po sot pse nuk protestojnë Veliaj dhe Spiropali ndaj vendimit arbitrar të Edi Ramës, për të rritur në stratosferë çmimin e energjisë elektrike, në një kohë kur pagat dhe pensionet kanë vite që nuk lëvizin?

Dhe mbi të gjitha jemi kuriozë të dimë, cili do të ishte qëndrimi publik i të dyve ndaj një çështje kaq sensitive për opinionin publik, nisur nga e shkuara e tyre në mbrojtje të interesit të konsumatorit shqiptar.