“Klimë që tregon degradim”, Kadilli del me reagimin e fortë për shkarkimin e Flamur Nokës nga Basha

Ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka reaguar për vendimin e Lulzim Bashës për shkarkimin e Flamur Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kadilli shkruan se ky shkarkim ishte një dëshmi e traditës së shëmtuar të përjashtimeve, e se opozita po vjen dhe po zvogëlohet nga përjashtimet. Ai thotë se demokratët duhet të reagojnë kundër modelit dhe jo rastit personal. Klima që është krijuar brenda PD-së, sipas Kadillit tregon degradim.

Reagim nga Iniciativa Demokratike – iDE:

“Shkarkimi i z. Noka një dëshmi tjetër e traditës së shëmtuar të përjashtimeve. Opozita zvogëlohet edhe me shumë nga përjashtimi. Një dëshmi e re e kryetarokracisë. Basha e emëroi Kryesinë e grupit dhe gati dy të tretat e Kryesisë si një kryetarokrat dhe e shkarkon po si kryetarokrat. Demokratët duhet të reagojnë kundër modelit jo rastit personal. Basha veproi si Kryetarokrat jo vetëm kur shkarkoi, por edhe kur emëroi. Përplasja me akuza të ndërsjellta me etiketime “llum” apo “peng” tregon degradim. Kë të besojnë demokratët? Ata meritojnë më shumë nga Kryetari dhe nga ish Kryetari. Kjo klimë përplasjesh dhe përjashtimesh tregon degradim. Idetë dhe propozimet e Manifestit “për një parti më e madhe se kryetari” janë përgjigjja për të dalë nga kjo gjendje si një parti e pastër, e hapur, e bashkuar, fituese.”-shkruan Kadilli.