Kërkesa për arrestimin e Alqi Bllakos, Arian Çani plas deklaratën e fortë

Gazetari Arian Çani i ftuar në MCN TV ka komentuar kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit Alqi Bllako si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Ai thotë se çudia më e madhe zgjat 3 ditë në Shqipëri dhe se kjo që po ndodh është një lloj inercie që nuk do krijojë shqetësime në radhët e mazhorancës.

Çani deklaroi se Edi Rama u duk gjasme i shqetësuar, pasi po e ngacmonin gazetarët dhe sikur nuk donte t’iu përgjigjej pyetjeve direkte.

Komenti i Çanit:

“Ai nuk harron të thotë se përgjegjësia është individuale dhe se nuk jemi në komunizëm. Jo Bllako dhe Koka, të bien, por edhe 30 të tjerë të bien, apo edhe ministra, Edi Rama nuk preket. Ky është pakti i drejtësisë së re. Sakrifica, lodhja, pagjumësia, për të krijuar këtë lloj drejtësie, është që Edi Rama të mos preket. Një aferë e tillë kaq e zhurmshme dhe ku të gjitha letrat janë hapur në tavolinë, po të kishte drejtësi normale si në çdo vend tjetër, edhe sikur mos të kishte përgjegjësi, SPAK do shkonte direkt te Rama, se është numri 1. Ministrat janë zgjatime të Kryeministrit, çdo gjë fillon dhe mbaron te Kryeministri. Ndryshimi është se Berisha nuk i lëshonte të vetët, edhe kur ishin të pafajshëm dhe të fajshëm. Edhe kur Prokuroria e cila ishte armiqësore, ngrinte ndonjë akuzë ndaj tij. Ndërsa Rama i lëshon. Unë nuk mbaj mend që doktori të ketë shitur ndonjë, të paktën publikisht, siç bën Rama. Në këtë pikë Rama është më dinak, më pervers politik. Kur ndjen që ka një rrezik, ai tërhiqet mënjanë, nuk jam unë. Drejtësia të bëjë punën e vetë. Pastaj nxjerr Manjat dhe kompani, të cilët përsërisin mesazhin e sulltanit, bosit, është një lojë perfektë e gjitha. Rama nuk lëviz, një bie për Ramën, qindra ngrihen. Dy janë njerëzit që SPAK nuk guxon ti prekë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, edhe sikur të ketë patate të nxehtë. Publiku e kupton vetë, mos më pyesni pse”, tha Çani.