Edi Rama dhe Lulzim Basha kryeministër pas 25 Prillit? Ja kë zgjedh Astrit Patozi

Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi thotë se objektivi kryesor për zgjedhje e 25 prillit është që të jenë forcë përcaktuese për qeverinë e ardhshme ndërsa thekson se do të preferonte që koalicionin qeverisës të formohej nga partitë opozitare.

Në rast se në do të kishim të drejtën e zgjedhjes midis të dyve (Edi Rama dhe Lulzim Basha), sigurisht që ne do të zgjidhnim opozitën sepse ne jemi forcë opozitare. Do të preferonim që qeveria e së nesërmes të ishte 100% opozitare”, tha Patozi.

Bashkëpunimi me forcën politike të drejtuar nga Jozefina Topalli (Lëvizja për Ndryshim) nuk u konkretizua me ndonjë marrëveshje, por Patozi tha se aleanca do të jetë “teorike”. Shkak për këtë tha ai janë bërë rregullat e Kodit Zgjedhor që imponon se koalicioni udhëhiqet nga një forcë kryesore.

Ne nuk arritëm të kishim një marrëveshje pasi Kodi, mënyra se si është shkruar është disavantazhues, sidomos për partitë e reja. Sepse Kodi është shkruar tamam si një kostum i qepur pas trupit për dy partitë e mëdha. Ata e kanë shkrua dhe ata e kanë miratuar. Sipas kodit, koalicioni duhet të ketë patjetër një lokomotivë dhe disa vagonë dhe kur ka të përafërta është shumë e vështirë të gjendet se kush është lokomotiva por kjo nuk vlen për PS dhe PD”, tha kreu i Bindjes Demokratike.