Incidenti i sikletshëm me çantën e Mbretëreshës, rrëfehet ish-punonjësja e Obamës (FOTO)

Familja e famshme e Mbretërisë së Bashkuar ka rregulla, ndonjëherë edhe të çuditshme, mirëpo jo të gjithëve u rastis që t’i dinë paraprakisht para se të takojnë mbretëreshën. Në një intervistë për People, Capricia Penavic Marshall, ish-shefe e protokollit për Shtetet e Bashkuara gjatë qeverisjes së presidentit Barack Obama, tregoi një incident të sikletshëm me çantën e mbretëreshës Elizabeth II.

Ngjarja ndodhi në vitin 2011, kur Barack dhe Michelle Obama vizituan Pallatin Buckingham. Marshall u shpreh se ishte mësuar që t’u merrte çantat grave gjatë takimeve zyrtare.

Kështu, kur mbretëresha doli nga pallati për ceremoninë e pritjes së çiftit Obama, Marshall vuri re se ajo mbante çantën në dorë. “I thashë homologut tim që mbretëresha ka çantën në dorë dhe u vetëofrova që t’ia merrja,” tregoi ajo.

Ekipi i sigurimit të mbretëreshës u përgjigj menjëherë: “Mos e prek çantën!” Marshall kërkoi falje dhe shtoi, ”Po çfarë ka në çantë?”. “Nuk e di njeri çfarë ka në çantë. Por nuk e prekim kurrë”.

Në vitin 2020, biografi mbretëror Sally Bedell Smith u shpreh se në çantën e mbretëreshës Elizabeth II ka zakonisht: pasqyrë kompakte, një buzëkuq Clarins, syze për lexim, stilograf dhe tabletë me mente.

Thuhet gjithashtu se me kalimin e viteve, mbretëresha e përdor çantën jo vetëm për përdorim personal, por edhe për të dhënë sinjale të caktuara. Për shembull, përflitet se kur ajo e zhvendos çantën nga njëri krah në tjetrin, dëshiron të shkëputet nga biseda me dikë. Kur e vendos çantën në dysheme, është shenjë për stafin se ajo dëshiron të largohet.

Nuk dihet vërtetësia e sinjaleve, por s’është ide e keqe të lëvizësh çantën për të thënë “të lutem, më largo nga këtu”.

Shiko tv shqip live