Hoxhaj: Osmani thjesht aderoj në LVV, është koalicion i karrigeve që në fund do të mbetet vetëm si një fusnotë e turpshme

Kryetari në detyrë dhe kandidati për kryeministër nga Partinë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur për përfshirjen e iniciativës së Vjosa Osmanit në listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit. .

Hoxhaj tha se Osmani aderoj në LVV, dhe se ky është koalicion i karrigeve e posteve e jo për qytetarin.

“Në vjeshtën e 2019 kishte një koalicion të shpresës i cili në fund të ditës u dëshmua që është një koalicion i shpresave të përmbysura, i manipulimit dhe mashtrimit. Ky koalicion i shpresës përfundoj në janarin e vitit 2021 si një koalicion i karrigeve e posteve të ndara. Znj.Osmani thjesht aderoj në LVV, dhe tregoi se ky nuk është koalicion për qytetarë por koalicion për poste për karrige diçka që në të kaluarën të dytë e kanë kundërshtuar si kulturë politike. Nuk kam dëgjuar që kanë vija të përbashkëta programore, nuk kanë propozime konkrete programore”, tha Hoxhaj.

Ai shtoi se ky koalicion do të mbetet si një fusnotë e turpshme në historinë e Kosovës, përderisa shprehu bindjen se PDK do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë jam i bindur se vota do të jetë për PDK-në dhe unë do të udhëheq qeverinë e ardhshme të Kosovës, dhe ky koalicion i karrigeve të ndara do të mbetet si një fusnotë e turpshme në historinë e Kosovës”, tha Hoxhaj.