Haxhiu: E pafalshme se si asnjëherë krimet e Serbisë nuk janë trajtuar seriozisht

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Kështu deklaroi Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje. Haxhiu tutje kujtoi kohën kur u votua Gjykata Speciale, duke thënë se votimi i kësaj gjykate ishte padrejtësia më e madhe që nga paslufta.

“Historikisht për atë votim do mbahen mend deputetët që e votuan dhe ata të cilët bën presion mbi deputetët e Kuvendit! Shumë lutje e kërkesa për mosvotim i kemi bërë në atë kohë ndaj deputetëve, e kontestuam edhe në Gjykatën Kushtetuese. Aq e rëndë ishte goditja që planifikonin t’ia bënin luftës për çlirim, saqë më kujtohet se pata refuzuar edhe leximin e rekomandimit të Komisionit për Legjislacion që theksonte se amendamenti 24 që ishte proceduar nga Qeveria e asaj kohe PDK-LDK dhe Lista Serbe, ishte kushtetues pavarësisht që nuk ishte i tillë“, shkroi Haxhiu në Facebook.

Në postimin e saj ajo ka sjellë në vëmendje lutjen e fundit që iu kishte bërë deputetëve sidomos atyre që ishin pjesë e luftës: ” Për këtë, ju bëjë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët edhe në qoftë se vetëm një ditë e kanë pasur të veshur uniformën e UÇK-së, nëse vetëm njëherë kanë marrë frymë nën petkun e asaj uniforme, mos e Votoni themelimin e gjykimit të asaj në emër të së cilës luftuat! Mos e votoni duke kujtuar ata që kanë rënë!” Haxhiu shtoi se është e pafalshme se si 21 vjet pasluftës, asnjëherë krimet e Serbisë nuk janë trajtuar seriozisht dhe gjenocidi i Serbisë ka mbetur i pandëshkuar dhe kriminelët serb enden të lirshëm.