Haradinaj: Kurti po zbaton praktikën “unë të kërcënoj me zgjedhje dhe s’ki qare pa më votu”

Haradinaj thotë se Kurti ka disa alternativa në tavolinë për të zgjidhur ngërçin me presidenten.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Kurti duhet t’i kërkojë diku tjetër votat që nuk i ka.

“Ai i ka votat për qeverinë por nuk i ka për presidentin. Këto vota ai mund t’i gjejë duke bërë koalicion me PDK-në dhe nuk ka nevojë për AAK-në. Mund t’i bëjë me LDK-në dhe Listën Serbe dhe prapë s’ka nevojë për AAK-në…Pra ai i ka të gjitha opsionet në tavolinë”, tha ai në “Debat Plus”.

I pari i AAK-së thotë se Kurti po kërcënon me zgjedhje partitë opozitare, por sipas tij kjo nuk është zgjidhja.

“Por nëse ai dëshiron ta dërgojë vendin në zgjedhje ai nuk ka nevojë për asnjërin nga këto opsione. E kotë që ne ja gjejmë një kandidatë të pavarur. Ai po niset me atë praktikën “unë të kërcënoj me zgjedhje dhe s’ki qare pa më votua”. Nëse ne e pranojmë njëherë këtë praktikë kemi gabuar”.

Haradinaj thotë se AAK e ka kandidaturën e tyre por që nëse ftohen nga Kurti e Osmani për bisedime të reja mund të shohim cilat janë alternativat.

“Nëse Kurti e Osmani gjejnë zgjidhje për presidentin, jemi në rregull. Por unë nuk ua japë mbështetjen për dikë që nuk e di si do të veprojë”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.