Grenell për herë të parë zbulon se çfarë i tha presidenti Trump për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se ka qenë ideja e presidentit amerikan Donald Trump për të arritur një marrëveshje ekonomike mes dy vendeve.

Kështu tha ai në një i ntervistë për mediat amerikane, ku mes tjerash theksoi se përfitimet nga kjo marrëveshja do të jenë shumë të mëdha për të dy shtetet.

“Marrëveshja do të bëj që bizneset amerikane dhe ato evropiane që kanë vlera përendimore, të zgjerohen në këtë regjion. Në vend që Kosova dhe Serbia të shohin nga Kina dhe Rusia, ato do të shohin nga bizneset amerikane dhe me stil përendimor. Kjo do të thotë që më shumë njerëz në Kosovë dhe Serbi, do të punojnë për kompanitë me vlera përendimore, dhe kjo do ta transformojë regjionin”, ka thënë ai.

Grenell ka treguar edhe se ishte ideja e presidentit Donald Trump për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, dhe çka i tha ai për herë të parë kur u hap kjo temë.

“Ata nuk kanë mundur të lëvizin përpara në aspektin ekonomik për shkaqe politike. Ajo çka Donald Trump më tha mua është “le të tentojmë t’i bashkojmë për normalizim ekonomik, si thua që ata të punojnë bashkë dhe të krijojnë vende pune për të rinjtë”, dhe kjo marrëveshje ishte për këtë”, ka thënë Grenell.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump kanë nënshkruar një marrëveshje ekonomike e cila u tha se do t’i përmirësojë marrëdhëniet mes dy shteteve.

Trump i ka siguruar Kosovës njohjen nga Izraeli, e cila njëherit është edhe pika e fundit e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator.