Fillojnë fluturimet, aeroporti “Adem Jashari” hapet më 28 qershor

Sipas një vendimi të ish-Qeverisë Kurti të datës 13 mars për ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 në Kosovës, me datën 17 mars ka hyrë në fuqi ndërprerja e përkohshme e të gjitha fluturimeve në ANP “Adem Jashari”.

Janë bërë gati tre muaj që nga ndërprerja e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, qytetarët të shumtë kanë mbetur jashtë Kosovës dhe shumë prej tyre që gjendjen brenda Kosovës nuk munden të udhëtojnë drejt botës.

Megjithatë më në fund Qeveria Hoti ka marrë vendim për hapjen e Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës.

Rihapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të bëhet më 28 qershor.

Megjithëkëtë, në draft-vendim theksohet se rifillimi i transportit ajror dhe hapja e aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, bëhet vetëm për vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë dhe shëndetit.

Udhëtarët që hyjnë në Kosovës, sipas këtij dokumenti, rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se propozimi është bërë pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Ai ka shtuar se nëse rastet nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze.

“Me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i kam propozuar Qeverisë së Kosovës që të miratoj vendimin për rifillimin e transportit ajror në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike”, tha Zemaj.

Për transportin ajror dhe autoshkollat foli edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se kjo synohet të bëhet deri në fund të kësaj jave.

“I heqim barrierat për lejimin e transportit ajror edhe lejimin e punës së autoshkollave, pasi ka pasur një interes të shtuar publike ditëve të fundit. Synojmë që në fund të javës të fillojmë punës të transportit ajror dhe punën e autoshkollave”, ka thënë Abrashi.