### Tragjedi në Gjermani: Dy viktima dhe dhjetëra të plagosur pasi autobusi turistik doli nga autostrada
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në autostradën **A96**, pranë **Buchloe**, në Bavari të Gjermanisë, ku një autobus turistik ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Sipas informacioneve të para, **dy persona kanë humbur jetën**, ndërsa disa të tjerë janë plagosur. Një person raportohet se ka qenë në rrezik për jetën, ndërsa **tetë persona kanë pësuar lëndime të rënda**.
Aksidenti ka ndodhur pak pas orës 06:00 të mëngjesit, pranë daljes **Buchloe-Ost**, në drejtim të Mynihut. Në autobus ndodheshin rreth **50 persona** dhe, sipas policisë, bëhej fjalë për një grup turistësh nga Filipinet. Ende nuk dihet destinacioni i tyre.
Autobusi, i regjistruar në Itali, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, ka dalë nga ana e djathtë e autostradës, ka kaluar barrierën mbrojtëse dhe ka përfunduar në një shpat pranë rrugës. Në aksident nuk është përfshirë asnjë automjet tjetër.
Në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta të emergjencës, përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore. Për sigurimin e autobusit në terrenin e pjerrët janë përdorur litarë dhe mbështetëse, ndërsa në operacion është përfshirë edhe një helikopter.
Fillimisht policia raportoi për 26 persona të plagosur, por më vonë bëri të ditur se numri i të lënduarve ishte më i madh. **Identitetet e viktimave dhe të personave të plagosur ende nuk janë bërë publike.**
Prokuroria gjermane ka angazhuar një ekspert për të rindërtuar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e tij. Hetimet janë në vazhdim.