“Esselamu Alejkum”, në gojën e hebreut Zelensky (VIDEO)

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zgjodhi përshëndetjen klasike muslimane kur iu drejtua pjesëmarrësve të Forumit të Dohas në Katar nga kryeqyteti Kiev, i cili është nën sulme të vazhdueshme nga ushtria ruse.

Esselamu Alejkum (Paqja e Zotit qoftë mbi ju), ishte fraza e parë fjalimit të tij, thënë pra nga një hebre, siç është origjina e tij.

“Shkëlqesia juaj, pjesëmarrës të Forumit të Dohas, zonja dhe zotërinj, dëshiroj t’ju drejtohem me fjalët tradicionale të rajonit të Gjirit – Esselam Alejkum, që do të thotë ‘Paqe për ju’. Paqja është një vlerë themelore që bashkon të gjithë njerëzit e botës por që nuk është më në jetën e njerëzve të vendit tim, sepse udhëheqja e Federatës Ruse vendosi të pushtojë Ukrainën dhe ta bëjë atë koloni të saj”, tha Zelensky.

“Ne duhet të sigurohemi që muaji i ardhshëm i shenjtë i Ramazanit të mos errësohet nga mjerimi i popullit të Ukrainës”, shtoi ai.

“Ka më shumë se një milion myslimanë në vendin tonë. Raketat dhe bombat ruse janë një kërcënim vdekjeprurës për të gjithë njerëzit tanë. Ju lutemi shikoni qytetet e Ukrainës, të cilat ushtria ruse i shkatërron çdo ditë. Hidhini një sy qytetit tonë Mariupol. Të gjithë e pamë këtë në Aleppo. Rrënojat, dhimbjet dhe shkatërrimet e njerëzve.

Vetëm në një nga qytetet tona, në Mariupol, që ishte bllokuar nga trupat ruse, ishin rreth 4000 myslimanë. Prej tre javësh më shumë se 80 persona fshihen në xhaminë në Mariupol. Mes tyre ka gra, fëmijë, të moshuar. Të gjitha rrugët për në qytet janë të mbyllura. Trupat ruse nuk lejojnë as furnizime humanitare atje. Ushqim, ujë, ilaçe. Nuk ka asgjë. 90 për qind e të gjitha ndërtesave në Mariupol u shkatërruan. Mijëra vdesin…

Por Rusia nuk është dënuar për këtë, ashtu siç nuk është dënuar për atë që bëri pas pushtimit të Krimesë. Dhe atje represioni rus ka për qëllim pikërisht pjesën muslimane të popullsisë së gadishullit”, tha Zelensky.

Ndërkohë, forumi u hap nga Emiri i Katarit, Sheikh Temim bin Hamed El Thani, që tha se vendi i tij ishte në solidaritet me viktimat e konfliktit. “Theksoj qëndrimin e vendosur të Katarit për të refuzuar dhunën, frikësimin e civilëve, sulmet ndaj shtetit sovran dhe akte të tjera që shkelin vlerat njerëzore dhe ligjin ndërkombëtar. Ne qëndrojmë në solidaritet me miliona njerëz të pafajshëm dhe refugjatë që janë viktima të kësaj lufte të padrejtë dhe llogaritjeve gjeopolitike”, tha udhëheqësi arab i Gjirit.