Eskalon përplasja, Franca paralajmëron sanksione të mundshme kundër Britanisë

Franca mund të vendosë masa hakmarrëse në mosmarrëveshjen për peshkim me Britaninë e Madhe në fund të kësaj jave. Një veprim të tillë të mërkurën e paralajmëroi zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal, shkruan Reuters.

“Po e pozicionojmë veten për të marrë masa”, tha Attal gjatë një konference për gazetarë pas një takimi të kabinetit francez.

Parisi është i zemëruar nga refuzimi i Londrës për t’u dhënë leje për peshkim një pjese të peshkatarëve francezë për të peshkuar në ujërat territorialë të Britanisë dhe ka kërcënuar me masa hakmarrëse.

Më herët, peshkatarët francezë kanë kërcënuar me bllokim të transportimit të mallrave në porte, nëse Britania nuk u lëshon leje.

Tensionet për këtë mosmarrëveshje ishin të larta edhe në pranverë. Në maj të këtij viti, Britania madje kishte dërguar luftanije për t’i dëbuar barkat franceze afër ishullit Jersey.