Eli Fara flet për herë të parë pas cenimit të privatësisë: Ja çfarë deklaroi

Eli Fara reagon pas cenimit të privatësisë: “Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”

Pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale të materialeve intime, këngëtarja Eli Fara ka reaguar publikisht për herë të parë, duke e cilësuar situatën si një cenim të rëndë të privatësisë dhe duke kërkuar ndalimin e shpërndarjes së mëtejshme të tyre.

Në reagimin e saj, artistja thekson se nuk është ajo që duhet të ndiejë turp për atë që ka ndodhur, ndërsa përgjegjësinë morale ia atribuon personave që kanë publikuar dhe shpërndarë materialet.

“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shprehet Fara.

Ajo ndalet edhe te mënyra se si gratë përballen me gjykimin shoqëror në raste të tilla, duke argumentuar se viktimave shpesh u kërkohet të japin llogari për një situatë në të cilën privatësia e tyre është cenuar.

“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shkruan ajo.

Eli Fara bën të ditur se çështjen do t’ia lërë në dorë drejtësisë, ndërsa i drejtohet publikut me një apel për të mos shpërndarë materiale që mund të rëndojnë më tej situatën për të dhe familjen e saj.

“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, apelon artistja.

Në fund të reagimit, Fara falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë, qoftë publikisht apo privatisht. Ajo shprehet se mbështetja e tyre i ka dhënë forcë për të vijuar përpara “me dinjitet dhe me kokën lart”.