“Edhe kali, kur bie para tij, nuk të shkel!” Milaim Zeka del me reagimin e revoltuar për videot e gjyqtares Kapedani

Prej dy ditësh në mediat shqiptare po qarkullojnë me shpejtësi videot e kryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, e cila shfaqet duke pozuar me veshje të shtrenjta në ambientet e gjykatës.

Në një video dëgjohet në sfond kënga e Don Xhonit “Mafia”. Ndërsa në një postim nga makina, gjyqtarja i drejton kamerës, gishtin e mesit.

Mirëpo, gazetari Milaim Zeka e konsideron të tepërt, gjithë “vrullin e komenteve negative” ndaj saj, duke përdorur si metaforë, kalin. “Edhe kali, kur bie para tij, nuk të shkel. Vetëm shqiptarët i hidhen mbi shpinë një njeriu të rrëzuar. Ajo bëri një veprim që mund ta bënte edhe gruaja ime”, – thotë Zeka në “Shqipëria live”.

Sipas tij, edhe reagimi i ministres së Drejtësisë ishte i tepërt, pasi “nuk reagon në raste serioze, por bëri kaq të madhe për video në TikTok”.

Sot, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka dorëzuar në KLGJ kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të magjistrates së Elbasanit Enkeleda Kapedani, për “diskreditim të figurës dhe pozitës e magjistratit”.