Kurti: Bekim Sejdiu mbetet kandidati i LVV-së për President
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende e konsideron profesorin Bekim Sejdiu si kandidatin e saj për President të Kosovës.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se marrëveshja politike për kandidaturën e Sejdiut mbetet e vlefshme nga ana e LVV-së, pavarësisht tërheqjes së tij nga kandidatura më 14 shtator.
“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu nga marrëveshja”, deklaroi Kurti.
Sipas kryeministrit, tërheqja e Sejdiut ishte e lidhur me zhvillimet politike pas mosrespektimit të marrëveshjes nga disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“Pra, prof. Bekim Sejdiu është tërhequr kur marrëveshjen e kanë shkelur e braktisur gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pra, ishte një vendim i kushtëzuar i tij nga situata që u shkaktua pas moszbatimit edhe të dakordimit tonë, por qe besa edhe të vendimit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Kurti.
Kurti theksoi se, nga perspektiva e LVV-së, marrëveshja politike për kandidaturën e Sejdiut vazhdon të jetë në fuqi dhe se ajo duhet të respektohet.
“Nuk kemi emër të ri ose tjetër. Nëse ky do të jetë rasti në të ardhmen, natyrisht që do të njoftoheni”, përfundoi Kurti.
Deklarata e kryeministrit lë të kuptohet se, për momentin, LVV-ja nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kandidatit të saj për postin e Presidentit dhe vazhdon ta konsiderojë Bekim Sejdiun si emrin e dakorduar për këtë pozitë.