Dëshira “fëminore” e Gjekmarkajt të jetë Rama nr. 2

Agron Gjekmarkaj, një personazh i (vetë)fryrë vitet e fundit, në fillim si analist e më pas dhe si figurë politike, e ka trashësisht të lexueshme një përpjekje për të qenë Rama i pas 30 viteve, pra ngjashëm me Ramën e para 30 viteve, që falë aftësive ligjërimore te veçanta dhe krejt origjinale, lëvrimit të një shqipeje ndër më të pasurat që mund të hasen ndër pena shqiptare të çdo kohe, si dhe prodhimit parreshtur të frazave mbamendëse, që ndryshe iu thuhen dhe batuta, do shndërrohej në një ikonë te mendimit publik, atij me thekst kritik dhe antikonformist, ku shpalosjen e parë do e kishte në lëvizjen antikomuniste të Dhjetorit, për të vijuar më pas në vite, me shumë produkte publicistike, të cilat do ishin dhe investimi i tij kryesor, ndoshta jo i vetëdijshëm, për të qenë dhe një figurë politike imponuese. Deri sa preku politikën, Edi Rama ishte një fenomen i pakonkurrueshëm kulturor i jetës publike. Me cilësinë e të qënit unik, pa ngjashmëri, ai do quhej madje nga Lubonja dhe si “njeriu më i mençur” që kishte Shqipëria.

Në aspekt të të qënit figurë publike me impakt para se të përfshihet në politikë, ai krahasohet vetëm me Berishën si ish-mjek i njohur. Gjithsesi, duke qenë në fusha të ndryshme, Rama kishte dhe avantazhin e ardhjes nga kultura, duke i dhënë përparësi në komunikimin publik.

Kaq sa për të kujtuar rrjedhën intelektualo-politike të Ramës. Edhe sot e kësaj dite, paçka ndryshimit të kontekstit publik, pra si politikan vendimmarrës, duke qenë kështu pashmangshmërisht dhe nën shënjestra gjykimesh apo akuzash kamzhikuese, ai arrin ta ketë imponues profilin e para politikës, sidomos në ligjërim.

Agron Gjekmarkaj e ka adhuruar Ramën dikur për këtë potencë, e ka lënë të nënkuptuar këtë dhe publikisht, e siduket, po tërhiqet nga një lloj Ramamanie të fshehur por jo aq të paqartë, për t’u imponuar siç Rama dikur, me lezetin e fjalës. E bënë këtë madje dhe duke zgjedhur vetë Ramën si subjekt shpotitës. Nuk mund të thuhet se nuk posedon aftësi gjuhësore në përsiatjet apo fejtonet e tij, por fakti se i ka qëllim më vetëvete, si përpjekje për të qenë Rama nr. 2, ja heq krejt lezetin e atyre që shkruan. Pos kësaj, në çdo përballje me Ramën në studio, nuk ka mundur dot ta sfidojë në ligjërim komunikativ replikues, qoftë dhe me batutë, ku e kundërta, si xanxë i ka mbetur etiketimi “Padër” nga Rama. Dikush duhet t’i thotë dhe po ia thotë ky shkrim, që sado sado, si Rama s’bëhet dot.

Gjekmarkaj është emër por jo fenomen, së paku deri tani, pa sinjale se mund të jetë ndryshe…/tesheshi.com/