Davutoglu e fajëson Erdoganin për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem: Zemra më është thyer

Ish-kryeministri turk, tani udhëheqës i opozitës, Ahmet Davutoglu iu bashkua kritikave të mprehta për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke theksuar se ai është prekur shumë nga vendimi i Prishtinës, duke e akuzuar presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan për ndjekjen e një politike joaktive në Ballkan.

Davutoglu tha se “zemra ime është thyer” nga vendimi i Kosovës për të hapur ambasadë në Jerusalem.

“Kjo është një ngjarje shumë dëshpëruese për mua. Kosova, e cila është në zemrat tona, u bë vendi i parë mysliman që e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe hapi ambasadë atje”, tha Davutoglu.

Kreu aktual i opozitës e kritikoi presidentin turk Erdogan që, sipas tij, ka politikë joaktive në Ballkan.

“Në Kosovë, ata duhet të kenë menduar se Erdogan e respekton aq shumë Trumpin, i cili e shpalli Jerusalemin kryeqytetin e Izraelit, kështu që kanë thënë ‘edhe ne mund ta bëjmë një veprim të tillë’. Sidoqoftë, pa marrë parasysh sa lart ngrihet Trump, Turqia nuk do ta pranojë kurrë një qëndrim të tillë. Ata duhet gjithashtu ta mbajnë mend se sa ka kontribouar Turqia në pavarësinë e Kosovës”, tha Davutoglu.

Dje është bërë përurimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Në ceremoni ka marrë pjesë E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri dhe Shefi i Protokollit të Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izrealit, Gil Haskel.

Haskel i ka uruar mirëseardhje Demirit, duke ia dhuruar asaj kartelën identifikuese të diplomates. Zyrtari izraelit ka thënë se ka qenë privilegj përurimi zyrtar i Ambasadës së parë të Republikës së Kosovës në Jerusalem.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar të dielën se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington, të nënshkruar në shtator të vitit që shkoi.

Ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan e ka kritikuar ashpër Kosovën, e cila e ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem. Nabhan tha se Kosova, e cila, thotë ai, “nuk është ende shtet”, ka filluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar në dëm të popujve të tjerë, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme. Ai kërcënoi se kjo qasje nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.