### Kurti tregon çfarë diskutoi me diplomatët e SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me fokus zhvillimet aktuale në Kosovë dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Kurti bëri të ditur se në Zyrën e Kryeministrit ka pritur të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves dhe ambasadorin gjerman Rainer Rudolph. Sipas tij, diplomatët e kanë uruar për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri.
Në takime është diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Sipas Kurtit, në fokus kanë qenë edhe përparimi demokratik, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe proceset integruese të Kosovës.
“Diskutuam edhe për temat aktuale, me theks nevojën për stabilitet institucional, posaçërisht në rrethanat e krijuara pas 16 shtatorit”, ka deklaruar Kurti.
Në takimin me ambasadorin gjerman, Rainer Rudolph, sipas Zyrës së Kryeministrit, janë diskutuar gjithashtu zhvillimet politike në Kosovë, Procesi i Berlinit dhe Forumi Ekonomik Kosovë-Gjermani që pritet të mbahet në fund të tetorit.
Ndërsa në takimin me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe përmbylljen e procesit të formimit të institucioneve, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë ndaj Kosovës.