“Boll me këto farsa”, Mjeku shpërthen ndaj Manastirliut: S’e ka fajin populli për përhapjen e Covid-19, por QSUT-ja

Mjeku i njohur, Petrit Vargu, ka reaguar ashpër në lidhje me faktin që qeveria po ua lë fajin qytetarëve për përhapjen e Covid-19 në vend, ku ditët e fundit është rritur ndjeshëm numri i rasteve të reja.

Përmes një postimi në “Facebook”, Vargu thekson se fajtore për rritjen e infeksioneve të reja është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, e cila sipas tij është burim infeksioni, që menaxhohet totalisht nga qeveria.

Ai thotë se Shqipëria është i vetmi vend në botë, ku populli fajësohet për përhapjen e Covid-19.

Ky reagim i mjekut vjen pas deklaratës së ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila fajësoi sot qytetarët për përhapjen e virusit.

Reagimi i plotë:

I vetmi vend i botes, ku sipas pushtetit, fajin per perhapjen Covid e ka populli. Megjithate faktet jane kokeforta. Burimet e infeksionit nuk jane supermerkatat apo plazhet, por QSUT-ja qe menaxhohet totalisht nga qeveria. Boll me keto farsa, o e vetmja ministri shendetesie ne bote qe nuk keni bere nje autopsi! Mos valle dhe per kete gje ua ka fajin populli? Kur paturpesia, bashkohet me mashtrimin, nuk mund te quhet dot profesionalizem, sado te pompohet me propagande.