Big Brother VIP: Fifi dhe Graniti pranojnë se ndoshta ‘po lind diçka’ mes tyre

Banorët e “Big Brother VIP” dhe njerëzit në rrjete sociale e kanë vënë re që ka një raport disi të dyshimtë mes Fifit dhe Granit Canës.

Në një klip të prezantuar gjatë mbrëmjes së sotme (e premte, 12 tetor), dyshja shiheshin të komunikonin natën vonë me njëri-tjetrin, me mikrofonat fikur, ku Fifi i shprehej se “nuk e sheh si vëlla”, ndërsa Graniti shfaqej më i tërhequr. Gjatë një bisede, ai u shpreh se e vlerëson Fifin si njeri, por është ende herët të flasin për një raport më shumë.

Megjithatë, në dhomën e rrëfimit, të pyetur nga moderatorja Arbana Osmani, të dy pranuan se “diçka po lind”.

“Unë e kam cekur që këtu brenda jemi bërë si një lloj familjeje, të gjithë. Janë ato momente kur qesh, kënaqesh. Janë ato momente kur të vijnë mendimet e këqija dhe është Fifi ajo që më ka afruar. Ka pasur momente kur më ka ushqyer. E kemi një gjuhë shumë të përbashkët, mendimet e njëjta. Dhe në një moment harrova që ndoshta edhe është duke lindur diçka,” tha Graniti.

Të dy thanë se është ende herët për të folur, por theksuan se raporti “si motër e vëlla” është përjashtuar.

“Nuk më ka ardhur turp të them kur jam dashuruar, kur jam lënduar, kur jam tradhtuar. Gjithçka që ka ndodhur në jetën time unë do e them. Unë nuk jetoj me lojë, jetoj sepse dua të ekziston dhe dua t’u jap shanset njerëzve,” tha Fifi.

“Të jesh e sigurt që do ndodhë diçka,” i tha Fifi me ironi Palomës pasi doli nga dhoma e rrëfimit, pasi kjo e fundit siç duket mendon se mes tyre nuk ka asgjë më shumë se shoqëri.