“Belladonna” ruse: A po merr fund supremacia e dronëve turq në Nagorni Karabakh?

Azerbajxhani është duke shënuar sukses qiellin e Nagorni Karabakh-ut duke shkatërruar një numër të madh tankesh, blindash dhe armatime të tjera të forcave armene me dronët turq TB2.

Nesër bëhet një muaj që prej rifillimit të konfliktit të gjerë në Nagorni Karabakh dhe supremacia ajrore e azerëve është e padiskutueshme.

Megjithatë, “AsiaTimes” shkruan sëfundmi se armënët ia kanë gjetur “ilaçin” dronëve turq që përdoren nga Azerbajxhani dhe ai quhet “Belladonna”.

Bëhet fjalë për sistemin elektronik rus “Krasukha”, i cili sipas medias në fjalë ka rrëzuar deri më tani 9 dronë azerë që ishin duke fluturuar pranë bazës ruse në Armeni, raporton abcnews.al.

Azerbajxhani ka mohuar vazhdimisht të ketë fluturuar mbi qiellin armen duke këmbëngulur se luftimet janë fokusuar vetëm brenda territorit të Azerbajxhanit, megjithatë autoritetet armene kanë publikuar pamje të dronëvë të rrëzuar duke mos bërë të ditur vendin ku u gjetën.

“Krasukha” është një sistem i luftës elektronike i prodhuar nga Rusia në vitin 2014 dhe gjendet në bazën ruse në Armeni.

As Armenia dhe as Azerbajxhani nuk kanë dhënë detaje nëse sistemi në fjalë është përdorur apo jo kundër dronëve turq, megjithatë nëse konfirmohet do të përbente një ndryshim thelbësor të balancave në luftën në qiell mes dy shteteve.