Basha i jep ‘goditjen’ e radhës Sali Berishës, bën premtimin e madh publikisht: Nëse nuk e zbatoj, s’do të kërkoj mandat të dytë

Kreu i PD Lulzim Basha “u bën dalje” anëtarëve të Kabinetit të qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha. Mëngjesin e sotëm Basha ka “garantuar” shqiptarët se në Kabinetin e tij, nuk do të jetë asnjë prej tyre.

Basha mesa duket do të mbajë larg posteve ministrore të gjithë ministrat e mëparshëm që kanë shërbyer në Qeverinë Berisha. Në emisionin “Koha për tu zgjuar”, Lulzim Basha tha se anëtarë të Kabinetit do jenë ata persona që mbajnë peshën e qeverisë, zonja dhe zotërinj të spikatur.

Në fund të intervistës, kryedemokrati bëri një zotim se nuk do të kërkojë mandat të dytë, nëse nuk zbaton një për një të gjitha pikat e programit të tij.

“Është shansi i shqiptarëve që më 25 prill jo thjesht të largojnë atë që nuk durohet më, por të zgjedhin me votë për ndryshimin. Garancia që unë jap është se pikat e këtij plani do t’i realizojmë një për një dhe nëse nuk i realizojmë, unë nuk do të kërkoj mandat të dytë”, – tha Basha.

Pjesë nga intervista:

A do të ndryshojë diçka nga sjellja politike e forcës që përfaqësoni?

Basha: Uji rrjedh, jeta rrjedh. Në qeverisjen time nuk do të ketë anëtarë të kabinetit, që kanë shërbyer në të kaluarën, por do të ketë anëtarë me integritet, me profesionalizëm, që do të jenë në gjendje të mbajnë peshën e përgjegjësisë. Do të përbëhet nga individë, zonja e zotërinj të spikatur, në fushat e tyre profesionale, që do të bëjnë të mundur krijimin e një kulture të re politike. Kjo na karakterizon neve si ekip, por edhe mua. Politika sot është bërë një fjalë e pisët, sepse ka hyrë dhunshëm në jetën e shqiptarëve, duke rënduar problemet. Ndërsa politika siç e shoh unë nuk mund të jetë një teatër, në kurriz të aspekteve të bashkëjetesës. Specialistët e fushave të ndryshme duhet të kenë hapësirën për të kontribuar. Ndo të thoja një ndryshim me çdo lloj përqasje ndaj qeverisjes që mund të kemi pasur në këto 30 vite, për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar.

Qeverisja ‘Basha 1’ mund të jetë një qeverisje ‘Berisha 3’?

Shqiptarët duhet të kuptojnë se kur je në ikje, siç është kryeministri, je i detyruar të formulosh gënjeshtra, për të hequr vëmendjen nga dështimet. Kryeministri duhet të shpjegojë se çfarë ka bërë këto 8 vite, ku i ka premtimet, çfarë ka arritur. Duke qenë se nuk ka arritur asgjë, madje në disa aspekte ka shkuar mbrapa, atëherë fabula është sulmi i kundërshtarit politik, dhe tek unë fabula ndalet te kjo që ‘ja nuk është ky, është ai’. 25 prilli nuk është një betejë personale mes Ramës dhe meje, siç e sheh ai, dhe kjo është arsyeja pse nuk i përgjigjem, edhe pse ai mërzitet. Kjo është fushata e parë në këto 30 vite, ku kryeministri është kthyer në satelitin tim, sepse nuk ka asgjë tjetër për të dhënë më, ka shteruar në çdo kuptim. Po t’i heqësh Lulzim Bashën, vaksinën, pandeminë, nuk ka më fushatë.

Kjo fushatë është për familjet shqiptare, nëse do vazhdojnë t’i përcjellin fëmijët e tyre në emigracion, apo do u japin atyre një shans, duke votuar për ndryshim, për PD, që ka një plan konkret për të zgjidhur disa nga problemet kryesore, që kanë shkaktuar valën e emigracionit.