Analisti plas deklaratën e fortë: Nëse bashkohen Shqipëria dhe Kosova, njëri nga kombet shuhet

Analisti Nexhmedim Spahiu, deklaroi në emision “Tiranë-Prishtinë” nga Baton Haxhiu në ABC, se në rast se Kosova bashkohet me Shqipërinë, njëri prej tyre do të shuhet në kuptimin e rrethanave shtetformuese, duke i cilësuar si dy kombe të ndryshme shqiptarët në dy anët e kufirit.

“Fjalët komb dhe etni, nuk janë e njëjta gjë. Nëse bashkohet Kosova me Shqipërinë shuhet njëri nga kombet. Nëse Prishtina bëhet kryeqytet shuhet ky komb. Nëse bëhet Tirana kryeqyet shuhet kombi i Kosovës. Nuk ka për të pas më ministri të jashtme. Mjafton që një komunitet të ndërtojë një shtet që njihet nga kombet e tjera, dhe atëherë është komb”, tha Spahiu.

Argumenti i tij, u kundërshtua nga pedagogu dhe analisti Ervis Iljazaj, i cili tha se kombet bëhen bashkë nja e njëjta gjuhë dhe traditë dhe jo nga shteti, duke hedhur poshtë deklaratën e Spahiut që Shqipëria dhe Kosova janë dy kombe të ndryshme.

Spahiu nga ana tjetër, e klasifikoi kombin shqiptar si monoetnik dhe multifetar. Ai u shpreh se sa i përket fesë, pavarësisht numrit, shqiptarët janë të ndarë në 50% myslimanë dhe 50% të fesë së krishterë. Ai deklaroi se e njëjta traditë është ndjekur edhe nga mbreti Zog i cili reflektonte këtë ndarje duke krijuar një familje gjysmë të krishterë dhe gjysmë myslimane.

“Kombi shqiptar është monoetnik dhe multifetar. Shumica e kombeve në Europë janë monoetnike dhe monofetare. Pavarësisht numrit se sa shqiptarë i takojnë njërit komunitet apo tjetrit, ndarja është 50 me 50 sa i përket fesë. Përqindjet e popullsive kanë lëvizur me vite. Në kohën kur mungonte mbreti kishte katër anëtarë që përfaqësonte secilin komunitet. Edhe mbreti Zog është përpjekur ta reflektojë këtë ndarje. Duke e bërë familjen e tij gjysmë myslimanë dhe gjysmë të krishterë.

Republika e Kosovës është krijesë njerëzore. Ajo nuk ekzistonte deri para 13-14 viteve ashtu si e krijuan Shqipërinë para 100 e ca viteve. Duhet të shohim ku jemi sot në shekullin e XXI. Në botë janë rreth 8 mijë etni të ndryshme dhe 7 mijë gjuhë. 1 mijë etni e kanë humbur gjuhën. Etnia nuk ka flamur. Kombi ka flamur. Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut janë e njëjta fe. Kanë të njëjtat emra. Janë një komb kulturor, por jo politik”, u shpreh Spahiu.