Aktorja tregon momentin më tragjik të jetës

Aktorja e njohur, Charlize Theron ka rrëfyer një ngjarje tragjike që ka përjetuar kur ishte e re, si pasojë e dhunës në familje. Ajo ka rikujtuar natën kur nëna e saj Gerda kishte vrarë të atin e saj Charles në vetëmbrojtje.

Në një intervistë për NPR’s Fresh Air, aktorja ka rrëfyer se babai i saj kishte ardhur natën e ngjarjes së rëndë në shtëpi i dehur dhe se në këtë gjendje kishte gjuajtur me armë në drejtim të familjes, përmes një dere.

Theron ka treguar se ishte vetëm 15 vjeçare në natën e vitit 1991 kur nëna e saj ishte detyruar t’ia kthente të shtënat me armë babait të saj.

“Babai im ishte aq i dehur saqë nuk ishte në gjendje as të ecte kur mbërriti në shtëpi me një armë. Unë dhe nëna ishim në dhomë të fjetjes të mbështetura pas derës së dhomës pasi ai po përpiqej ta shtynte atë. Prandaj ne të dyja qëndronim pas derës në përpjekje për të mos lejuar atë që të hynte. Mirëpo ai ndërmori një veprim tjetër duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të derës, tri herë. Për fat të mirë, asnjë prej plumbave nuk na kapi. Mirëpo, në vetëmbrojtje, nëna u detyrua ta gjuante po ashtu me armë”, është shprehur ajo.