Zaev: Nuk është e pranueshme të thuhet se gjuha dhe identiteti maqedonas burojnë nga bullgarët

Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se janë të papranueshme qëndrimet e Bullgarisë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Nuk është e pranueshme”, u përgjigj Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit nëse është e mundur të pranohen pretendimet e Bullgarisë se gjuha dhe identiteti maqedonas burojnë nga bullgarët.

“Është fakt se kemi histori të përbashkët, këtë e kemi edhe në libra. Për shekuj kemi pasur histori të përbashkët dhe kjo është një mundësi e mirë që ta shfrytëzojmë në të ardhmen”, tha Zaev.

Ndërsa Presidenti Stevo Pendarovski në konferencën e përbashkët me Zaevin tha se deri tek ai nuk ka arritur ndonjë informacion për atë se, në Bruksel është arritur marrëveshje për kompromis në mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.

“Negociata për gjuhën dhe identitetin maqedonas asnjëherë s’ka pasur dhe s’do të ketë”, tha Pendarovski.

Më herët gazeta “Politico” shkruan se është arritur kompromis në Bruksel që Bullgaria të pranojë gjuhën dhe identitetin maqedonas, ndërsa Maqedonia të pranojë se gjuha dhe identiteti burojnë nga bullgarët.